Lidhje

Sfidat ekonomike përballë administratës së ardhshme amerikane


Presidenti i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Barak Obama do të përballet me zgjedhje të vështira financiare. Deri me tani, ndihma për sistemin financiar ka kushtuar së paku një trilion dollarë. Deficiti i buxhetit të ardhshëm pritet të jetë më i madh deri me tani. A do të ketë të holla të mjaftueshme për programet e propozuara nga Presidenti?

Të martën Barak Obama e fitoi garën me senatorin Xhon Mekejnin në fushatën më të gjatë dhe më të kushtueshme presidenciale në historinë amerikane. Qendra për Politikat Përgjegjëse parashikon se të dy kandidatët shpenzuan më shumë se një miliardë dollarë. Vetem zoti Obama mendohet të këtë grumbulluar fonde nga donacionet me një vlerë prej shtatëqind milionë dollarësh.

Rezultatet nga zgjedhjet presidenciale shihen nga shumë si mesazh i qartë për shqetësimet e votuesve për ekonominë. Një studim i opinionit publik i publikuar në gazetën Uall Street Journal njofton se 60 përqind e votuesve e konsideronin ekonominë si çështjen më kryesore.

Presidenti i sapo zgjedhur Barak Obama përballet me krizën më të rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh. Në këtë vit çmimet e aksioneve kryesore kanë humbur afër 30 përqind të vlerës së tyre.

Në shtator, qeveria mori kontrollin e dy kompanive më të mëdha financuese në tregun e shtëpive, Fannie Mae dhe Freddie Mac. Po ashtu qeveria morri nën kontroll kompaninë e madhe të sigurimeve AIG dhe qeveria është tani pjestare aksionesh në nëntë nga bankat më të mëdha të vendit. Së shpejti qeveria do të këtë aksione edhe në bankat e vogla. Shuma e shpenzuar në planin e shpëtimit kap vlerën prej rreth një trilion dollarësh. Kjo shifër mund të rritet.

Një problem tjeter me të cilin administrata e re do të përballet është deficiti i buxhetit, i një vlere rekord. Ekspertët parashikojnë se deficiti për buxhetin e vitit të ardhshëm mund të jetë rreth një trilion dollarë. Disa studiues parashikojnë se ky deficit do të kufizojë shpenzimet për programet ekonomike që dëshiron të ketë presidenti i ri.

Barak Obama ka premtuar shkurtimin e takasave për klasën e mesme amerikane. Zoti Obama po kërkon 50 miliardë dollarë për të ndihmuar shtetet dhe programet që mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës. Zoti Obama ka propozuar një reformë për sektorin e shëndetësisë, që kushton 50 deri 65 miliardë dollarë. Ai thotë se kjo do të realizohet përmes taksave ndaj atyre amerikanëve, të cilët kanë të ardhura më shumë se 250 mijë dollarë në vit. Zoti Obama po ashtu synon të shpenzojë 150 miliardë dollarë për teknologji të reja të energjisë gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm.

Veç kësaj, presidenti i sapo zgjedhur është duke biseduar për një program me një vlerë prej 100 miliardë dollarësh, i cili do të mbulonte shpenzimet për projektet publike dhe ndihmat për shtetet, qytetet dhe qytetarët amerikanë. //ad//

XS
SM
MD
LG