Lidhje

SHBA: Amerikanët përkujtojnë me ceremoni Ditën e Veteranëve



Amerikanët patën dje rastin të nderojnë veteranët e kombit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Presidenti Bush kujtoi me këtë rast sakrificën e tyre me një fjalim që mbajti në një aeroplanmbajtëse të përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore:

Në Evropë dhe Australi, 11 nëntori quhet Dita e Kujtimit. Në Shtetet e Bashkuara ajo njihet si Dita e Veteranëve.

Kjo ditë filloi si një ditë përkujtimore për përfundimin e Luftës së Parë Botërore, në orën 11 të datës 11 të muajit të 11, nëntorit, të vitit 1918.

Por për amerikanët, 11 nëntori është dita kur nderohen të gjithë personat që kanë shërbyer në ushtrinë e vendit, që nga Lufta Revolucionare, e deri në ditët e sotme.

Presidenti amerikan tradicionalisht, më 11 nëntor shkon në Varrezat e Dëshmorëve në Arlington, pranë Shtëpisë së Bardhë në bregun tjetër të lumit Potomak. Por këtë vit, Presidenti Bush zgjodhi një tjetër vend për ta përkujtuar Ditën e Veteranëve, për herë të fundit në postin komandantit të përgjithshëm. Ai foli nga një aeropanmbajtëse, "USS Intrepid", që shërben si muze i ushtrisë dhe i hapësirës në qytetin e Nju Jorkut.

"Sot, i dërgojmë një mesazh të qartë të gjithë ushtarakëve: ju faleminderit për kurajon tuaj, për sakrificat dhe që i dolën zot vendit në momentet kur kishte më tepër nevojë për ju."

Nënpresidenti Dik Çejni ishte dje në Varrezat e Arlingtonit, në vend të presidentit Bush, ku vendosi një kurorë në memorialin e dëshmorëve të kombit, apo siç njihet ndryshe, Varri i Ushtarit të Panjohur. Zoti Çejni foli për sfidat me të cilat përballen sot ushtarakët amerikanë, duke theksuar vendosmërinë e tyre për ta bërë botën një vend më të sigurtë.

"Nuk ka ndonjë mister se ku e ka burimin vendosmëria dhe suksesi i lirisë në Amerikë. Kjo ndodh, sepse në çdo gjeneratë, që nga periudha e Luftës Revolucionare e deri më sot, amerikanë të guximshëm kanë shërbyer kurdoherë me nder në radhët e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës."-tha zoti Çejni.

Dje u zhvilluan ceremoni përkujtimore në varrezat e dëshmorëve dhe në memorialet e luftës në mbarë vendin. Presidenti i zgjedhur Barak Obama mori pjesë në njërën prej tyre. Ai vendosi një kurorë në një ceremoni të ngjashme në Çikago.

Përmes një deklarate me shkrim, zoti Obama tha se të gjithë amerikanët e nderojnë bashkarisht shërbimin e jashtëzakonshëm dhe vetëmohues të veteranëve të kombit. Ai u zotua se si komanandanti i përgjithshëm i ardhshëm i vendit, ai do ta ta ruajë nderimin e thellë dhe të shenjtë të popullit për të gjithë ata që kanë shërbyer në radhët e ushtrisë amerikane.//lk


XS
SM
MD
LG