Lidhje

Prespektivat e punësimit të veteranëve


Sot është Dita e Veteranëve në Shtetet e Bashkuara, dita kur amerikanët tradicionalisht nderojnë burrat dhe gratë që kanë shërbyer në forcat e armatosura të vendit. Shumë veteranë kthehen nga detyra me aftësi të reja apo të përmirësuara që mund të jenë të vlefshme në botën e biznesit. Megjithatë jeta mund të jetë e vështirë për veteranët ndërkohë që përpiqen të riintegrohen në jetën shoqërore përmes një pune të përshtatshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Adam Phillips njofton lidhur me programin e një korporate për veteranët në të cilin duket se përfitojnë të gjithë.

Më 8 korrik 2004, oficeri Robi Doti po udhëtonte në një kamion ushtarak në veri të Irakut."Sapo hymë në Samarra, makina me të cilën udhëtoja u godit nga një bombë në anë të rrugës. Shpërthimi bëri që të humbisja këmbën e djathtë dhe gjysmën e së majtës".

Ai i kaloi pesë muajt e ardhshëm në qëndrën spitalore ushtarake Walter Reed në Uashington. Ai bëri disa operacione dhe kaloi orë të tëra në terapi fizike. Më në fund ai doli nga spitali me këmbët e reja protesë të teknologjisë së lartë dhe u kthye në shtëpinë e tij në Paducah të Kentakit. Por pas 13 vjetësh në ushtri, oficeri Doti kishte pak përvojë në jetën shoqërore dhe si shumë veteranë, prespektiva e punësimit ishte e pasigurtë.

Ndërkohë një artikull reviste rreth veteranëve të plagosur që vlerësonte kurajon dhe guximin e tij, tërhoqi vëmendjen e Majkëll Iliç, themeluesi i picerisë Little Ceasar. Zotit Iliç iu kujtua eksperienca e tij si veteran i ri me një të ardhme të pasigurtë në vitet 1959 dhe u prek nga shkrimi. Ai i telefonoi ushtarakut Doti në shtëpi dhe i la një mesazh.

"Nuk e kisha idenë se për çfarë bëhej fjalë dhe pak ditë më pas fola me zotin Ilitch dhe ai më ofroi mundësinë të hapja dyqanin tim të picerisë Little Caesar në Paducah. E shfrytëzova rastin dhe fillova biznesin tim".

Kjo ishte dy vjetë më parë. Dyqani i tij i picerisë ishte aq i suksesshëm saqë Iliç i kërkoi grupit menaxhues të kompanisë të ndërtonte një program për të ndihmuar veteranë të tjerë në këtë biznes. Programi i tyre iu ofron veteranëve të kualifikuar ulje të mëdha të çmimit nga kompania mëmë. Ai përfshin gjithashtu trejnime, mbështetje financiare dhe përfitime të tjera që kapin shumën 75 mijë dollarë.

Presidenti i kompanisë Little Caesar, Dejv Skrivano shpjegon të mirat e këtij programi.

"Së pari, është kënaqësi të ndihmosh veteranët që kanë bërë kaq shumë për këtë vend. Përveç kësaj ky është një propozim i mirë biznesi. Veteranët sjellin shumë të mira për kopmaninë Little Caeser si angazhimin e madh. Ata kanë iniciativë. Kanë integritet, punojnë në grup dhe kanë aftësi udhëheqëse. Kështu që është mirë për të gjithë ne".

Ka një numër në rritje mundësish për veteranët. Korporata Partnerët Amerikanë, një program këshillues, ndihmon veteranët që kthehen nga Iraku dhe Afganistani për t’u punësuar në disa nga korporatat më të mira të vendit, që ofrojnë këshilla dhe mbështetje për karrierën. Gjithashtu Qendra për Biznes e Veteranëve rekruton aktivisht kompani të tjera që japin mundësi ekonomike për veteranët ndërsa ndihmojnë biznesin e tyre duke kapitalizuar mbi aftësitë e veçanta që veteranët sjellin në krahun e punës. //rd//

XS
SM
MD
LG