Lidhje

Shqipëri: Parlamenti në seancë të pazakontë, grevistët në sallë


Në Shqipëri parlamenti zhvilloi sot një seancë jo të zakontë ku në ballë të sallës ishin ulur 10 deputetët e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe ata demokristianë, në grevë urie që prej ditës së hënë.

Parlamenti i nisi punimet me dy orë vonesë duke iu përmbajtur rendit të ditës. Deputetë të LSI dhe demokristianë i bënë thirrje kolegëve të tyre të mbështesnin kërkesën për ndryshimin e formulës së përbërjes së komisioneve zgjedhore dhe të kundërshtonin atë që ata e quajnë një marrëveshje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit socialist Edi Rama në kurriz të votës së lirë.

Jashtë, përpara hyrjes së parlamentit ka vazhduar protesta e disa qindra përkrahësve dhe mbështetësve të deputetëve grevistë, ndërsa forca të shumta policie ishin aty të pranishme. Policia mohoi sot që gjatë ndërhyrjes së mbrëmshme për të hequr një tendë të vendosur nga protestuesit, të jetë përdorur dhunë, sikundër ishte denoncuar nga protestuesit.

Po sot pasdite komisioni i reformës zgjedhore i dha fund përgatitjes së kodit të ri elektoral i cili pritet të kalojë për miratim të hënën e ardhëshme. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG