Lidhje

BE: 15 vende të zonës së  Euros në recesion


Bashkimi Evropian tha se 15 vende, që përdorin Euron, janë në recesion, ndërkohë që udhëheqësit botërorë mblidhen në Uashington për të diskutuar rreth krizës financiare në botë.

Bashkimi Evropian tha se rritja ekonomike në zonën ku përdoret Euroja ra me 0,2 për qind në 3-mujorin e tretë të vitit, pas një rënie të ngjashme në 3-mujorin e mëparshëm.
Në këtë zonë, Gjermania dhe Italia janë në recesion bashkë me Spanjën dhe Irlandën.

Ndërkohë, Franca publikoi sot statiskikat ekonomike, duke vënë në dukje se ekonomia e saj u rrit me 0,1 për qind gjatë 3-mujorit të tretë të vitit. Hong Kongu njoftoi se ka rënë në recesion gjatë 3-mujorit të tretë.

Drejtori i Bankës Qëndrore të Shteteve të Bashkuara, Ben Bernanke, tha se janë bërë tentativa të shumta për përmirësimin e sistemit financiar global, por ai vazhdon të jetë në gjendje tepër të vështirë. Ai tha se bankjerët kryesorë në gjithë botën janë në kontakt të vazhdueshëm, duke ndjekur me kujdes zhvillimet dhe gati për të marrë masa shtesë në rast nevoje.

Ndërkohë, udhëheqës nga 20 vendet më të industrializuara të botës dhe vendeve me rritje të shpejtë ekonomike mblidhen këtu në Uashington për të diskutuar rreth krizës financiare. Presidenti George Bush do t’i presë këta udhëheqës sonte për darkë në Shtpëinë e Bardhë. Nesër ata zhvillojnë një takim zyrtar për të diskutuar mbimënyrat për kapërcimin e krizës.

Dje, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, tha në një raport të fundit se aktiviteti ekonomik vitin e ardhshëm do të tkuren me një për qind në vendet, që përdorin Euron, dhe me 0,9 përqind në Shtetet e Bashkuara. (ze)

XS
SM
MD
LG