Lidhje

Hillari Klinton, mes kandidatëve për postin e Sekretarit të Shtetit


Media amerikane njofton se senatorja Hillari Klinton është mes kandidatëve që presidenti i zgjedhur Barak Obama po shqyrton për postin e Sekretarit të Shtetit.

Sipas disa njoftimeve të reja, zoti Obama është takuar dje në Çikago me senatoren e Nju Jorkut.

Zyrtarë të Partisë Demokrate kanë lenë të kuptohet se ish Zonja e Parë është në listën e kandidatëve të zotit Obama për postin e shefit të diplomacisë amerikane. Senatorja Klinton humbi ndaj zotit Obama në zgjedhjet paraprake presidenciale brenda demokratëve pas një beteje të gjatë dhe shpesh të ashpër.

E pyetur kohët e fundit nëse do të donte të punonte në administratën Obama, zonja Klinton tha se ishte e kënaqur me vendin e saj në Senat por shtoi se do të donte të ishte një “partnere e mirë” e presidentit të ri.

Persona të tjerë që mendohet se po shqyrtohen si kandidatë për postin e Sekretarit të Shtetit janë senatori i shtetit Masaçusets, Xhon Kerri, senatori republikan Çak Hejgëll dhe guvernatori i Nju Meksikos, Bill Riçardson.

Ndërkohë, ekipi i Obamës njoftoi se presidenti i zgjedhur do të takohet të hënën në Çikago me senatorin republikan Xhon Mekein, i cili humbi ndaj zotit Obama në garën presidenciale. (ze)

XS
SM
MD
LG