Lidhje

Udhëheqësit botërorë zotohen  për zgjidhjen e krizës


Udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha të botës diskutuan të shtunën për rreth 5 orë, për të gjetur një zgjidhje për krizën ekonomike që po prek vendet e botës njërin pas tjetrit dhe të një mënyre, për t’u siguruar që kriza aktuale të mos përsëritet më në të ardhmen.

Presidenti Xhorxh Bush tha se takimi ishte produktiv.

Çështja themelore në këtë takim ishte, se a do të qe e mundur të arrihej marrëveshje thelbësore, në kushtet kur patëm një numër kaq të madh vendesh nga 6 kontinente të ndryshme, që përfaqësojnë shkallë të ndryshme zhvillimi? Dhe kam kënaqësinë të them, që përgjigja e kësaj pyetjeje ishte: pa tjetër që po! - tha ai

Në takimin e Uashingtonit morën pjesë udhëheqësit e vendeve më të industrializuara të botës, por edhe presidentët dhe kryeministrat e ekonomive gjigande që po zhvillohen dhe fuqizohen, si Kina, India dhe Brazili.

Të gjithë pjesëmarrësit, u zotuan njëzëri t’i shkallëzojnë më tej përpjekjet për nxitjen e ekonomive në vendet e tyre. Ata theksuan mbështetjen për një kontroll më të madh dhe më tepër rregulla për sistemin financiar botëror.

'Një nga arritjet më të rëndësishme të takimit ishte vendosja e disa parimeve dhe marrja e disa masave për përshtatjen e sistemeve tona financiare me realitetin e shekullit të 21-të. '

Por udhëheqësit pranuan se një marrëveshje e përbashkët për një plan specifik veprimi do të marrë kohë Ata u thanë ministrave të financës të punojnë për detajet e marrëveshjet dhe caktuan një takim të dytë për këtë çështje në fund të muajit prill.

Deri në atë kohë, do të ketë përfunduar edhe periudha e tranzicionit në Shtetet e Bashkuara, kalimi i pushtetit nga Presidenti Bush, tek presidenti i zgjedhur Barak Obama.

Zoti Obama nuk mori pjesë në takim, por në fjalimin e përjavshëm të demokratëve, ai tha se është e rëndësishme të zgjidhen problemet ekonomike me të cilat po përballet e gjithë Amerika dhe jo vetëm firmat e mëdha të sektorit financiar.

'Kriza ekonomike na ka mësuar se nuk mund të shkojnë punët mirë në tregun e aksioneve në Wall Street, kur të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë ndeshin në vështirësi. Ne do të mund të jemi mirë, apo keq ekonomikisht, vetëm si një komb i tërë" - tha ai

Kryeministri britanik Gordon Brown tha se veprimet që duhen ndërmarrë për zgjidhjen e krizës, të parashikuara në takimin e Uashingtonit u japin përgjigje këtyre shqetësimeve.

"Çështjet për të cilat biseduam në takim nuk ishin thjesht ide, apo fjalë abstrakte, por ato preknin problemet reale që ndikojnë tek jeta e përditshme e njerëzve. Pra, veprimet që ne do të marrim këtej e tutje, do të synojnë që të ruhen kursimet, që njerëzit të mund t’i ruajnë vendet e punës dhe që të mos lejojmë që ata t’i humbin shtëpitë, - tha kryeministri britanik Gordon Brown. //mm//

XS
SM
MD
LG