Lidhje

Vendosja e EULEX-it  dhe shqetësimet e Prishtinës


Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Fried tha se do të debatojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian ide të reja për rrugën e vendosjes së EULEX-it në tërë Kosovën, duke marrë parasysh qëndrimin e udhëheqësve të Kosovës. Këta të fundit kanë kundërshtuar një marrëveshje gjashtë pikëshe të arritur ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Fried tha sonte në Prishtinë se nuk mendon që plani gjashtë pikësh për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë duhet të rihapet, por duhet gjetur një zgjidhje që do të marrë parasysh shqetësimet e udhëheqësve të Kosovës rreth kësaj çështjeje.

Institucionet e Kosovës kanë refuzuar një marrëveshje gjashtë pikëshe të arritur ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Ata kundërshtojnë posaçërisht elementet e kësaj marrëveshjeje që kanë të bëjnë me policinë, doganat dhe gjyqësinë.

Zoti Fried tha sonte se Shtetet e Bashkuara i kanë parasysh të gjitha shqetësimet që ka nxitur plani gjashtë pikësh për të cilin është duke u debatuar tash e një javë më radhë.

Po të mendoja se ky problem mund të zgjidhej me rihapjen e gjashtë pikave, atëherë do të thosha t’i hapim ato por nuk është kjo çështja. Mendoj se rruga më e mirë është vendosja e EULEX-it dhe që ai duhet të këshillohet me qeverinë e Kosovës që është qeveri sovrane e këtij vendi”, tha zoti Fried duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e EULEX-it që është misioni më ambicioz i Bashkimit Evropian.

Ai tha se plani gjashtë pikësh nuk është i përhershëm. “Në fund nëse ne e bëjmë punën si duhet gjatë dy viteve të ardhshme, askush nuk do të kujtojë këtë përplasje mbi gjashtë pikat sepse EULEX-i do të jetë në terren në gjithë Kosovën. Nëse ecim përpara do të ketë njohje të reja, do të ketë investime dhe do të ketë një ardhmëri të mirë për Kosovën”, tha zoti Fried, duke shfaqur mirëkuptim për dyshimet dhe shqetësimet që ekzistojnë rreth këtij procesi.

Ai u shpreh i kënaqur me bisedimet e sotme më udhëheqësit e Kosovës ndonëse ata përsëritën qëndrimin se plani gjashtë pikësh është i papranueshëm.

Jemi pajtuar se duhet të gjejmë rrugën përpara që merr parasysh qëndrimin e qeverisë së Kosovës për planin gjashtë pikësh, dëshirën e qeverisë për shtrirjen e EULEX-it në tërë Kosovën sipas mandatit të tij të përcaktuar që në muajin shkurt si dhe dëshirën e saj që të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian”.

Ai tërhoqi vërejtjen se Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me Kosovën dhe janë përballur me kohë të vështira, por gjithnjë e kanë mbajtur fjalën.

Mbaj mend se kur isha këtu në korrik të vitit 2007 dhe flisnim për shtyrjen 120 ditëshe, kishte shumë dyshime, shumë njerëz në Kosovë menduan, ja na vunë në kurth, nuk do të fitojmë pavarësinë, po na mashtrojnë, diçka do të ndodhë. Por Shtetet e bashkuara e mbajtën fjalën, Evropa e mbajti fjalën dhe ne ecëm përpara”.

Zoti Fried tha se janë hedhur disa ide për zgjidhjen e kësaj gjendjeje dhe ai synon të debatojë këto ide më përfaqësuesit evropian. Zoti Fried e dënoi shpërthimin e ditëve më parë në oborrin e zyrës civile ndërkombëtare duke tërhequr vërejtjen se Kosova si shtete i pavarur e sovran synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe një synim i tillë nuk mund të arrihet me veprime të tilla. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Kosovës, por ajo duhet të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian integrimi në të cilin është edhe synim i Prishtinës. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG