Lidhje

Sfidat e politikës së jashtme përballë Presidentit të zgjedhur Obama


Reagimi ndërkombëtar ndaj fitores së Barak Obamës ka qenë në përgjithësi entuziast. Por sfidat e politikës së jashtme të presidentit të zgjedhur, janë gjithashtu shumë të vështira.

Sfida e parë dhe më urgjente për Presidentin e zgjedhur Obama do të jetë kriza jashtëzakonisht e rëndë ekonomike në vend dhe përhapja e saj në gjithë botën. Gazetarët e huaj thonë gjithashtu se zotit Obama do t’i duhet të përballet me rënien e imazhit të Amerikës në botë.

Sipas gazetarit gjerman Matthias Ryb, shef i zyrës së Uashingtonit për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, administratës së re do t’i duhet të përballet me tri çështje që kanë qenë problematike për evropianët, lufta në Irak, qendra Guantanamo dhe politika amerikane për ngrohjen globale.

“Në këto drejtime, mendoj se evropianët presin shumë. Evropianët dhe veçanërisht gjermanët, parashikojnë gjithashtu që administrata të kërkojë më shumë prej tyre përsa i takon angazhimit ushtarak dhe politik në Afganistan. Kjo do të jetë pjesa më e vështirë. Tri çështjet e tjera do të jenë më të lehta dhe më e thjeshta për t’u zgjidhur do të jetë Guantanamo”.

Një tjetër çështje për të cilën kanë interes evropianët janë marrëdhëniet amerikano-ruse. Një ditë pas fitores së zotit Obama, presidenti rus Dmitri Medvedev fajësoi Uashingtonin për krizën globale financiare dhe për luftimet e fundit në rajonin e Kaukazit. Megjithatë, Matthias Ryb thotë se evropianët janë optimistë për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Nadia Bilbassy, korrespondente e Qendrës së Lajmeve për Lindjen e Mesme thotë se edhe bota arabe pret shumë nga Barack Obama.

“Përparësia për shumë njerëz në Lindjen e Mesme është ripërtëritja e procesit të paqes. Është një sfidë e jashtëzakonshme për politikën e jashtme. Ai duhet të përballet me problemin e Iranit, për ambicjet bërthamore të këtij vendi. Ai duhet të mendojë se çfarë politike të ndjekë me Sirinë. Do t’i duhet të hartojë një strategji tërheqjeje nga Iraku. Të gjitha këto, si edhe kërcënimi i al-Kaidës dhe lufta kundër terrorizmit, do të jenë një sfidë e madhe për të. Do të shohim se si do ta përballojë”.

Zonja Bilbassy thotë se është përtej aftësive të çdo njeriu të vetëm që t’i bëjë ballë kaq shumë sfidave serioze njëkohësisht. Ajo thotë se do të ishte më e udhës që të emërohej një i dërguar i nivelit të lartë me përvojë të madhe në Lindjen e Mesme, sesa të mbështetej kryesisht tek Sekretari i ardhshëm i Shtetit.

Fitorja e zotit Obama ndoshta nuk është përshëndetur askund me më shumë entuziazëm sesa në Afrikë. Megjithatë, afrikanët janë në dijeni të problemeve të ndërlikuara me të cilat përballet administrata e re. Gazetari afrikano-jugor Darren Taylor thotë se të ashtuquajturat shtete të brishta do të paraqesin probleme të mëdha sigurie. Ai thotë se për të përballuar konfliktet e shumta në Afrikë, administratës së presidentit të ardhshëm Obama do t’i duhet të bashkëpunojë shumë më tepër me Bashkimin Afrikan.

“Në shumë drejtime Obama konsiderohet si Presidenti i Afrikës si falë origjinës së tij nga Kenia, por edhe sepse afrikanët e vlerësojnë atë jashtë mase dhe shohin një shans për të sjellë ndryshime të vërteta në lidhje me Bashkimin Afrikan”.

Gazetari gjerman Matthias Ryb shpreh bindjen se presidenti i zgjedhur mund të sjellë ndryshime rrënjësore në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. //ad//

XS
SM
MD
LG