Lidhje

Zbulim gjenetik, Bisfenoli-A, Vaksinë nikotine


Zbulim gjenetik në fushën e kancerit

Shkencëtarët thonë se kanë hedhur një hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet për të kuptuar sëmundjen e kancerit. Për herë të parë, ata kanë deshifruar plotësisht ADN-në e një pacienteje me kancer dhe e gjurmuan sëmundjen deri në gjenet fillestare të saj.


Shkencëtarët pranë universitetit Uashington përdorën qeliza gjaku kanceroz nga një grua e cila kishte vdekur nga leukemia myeloid akute, një lloj kanceri në gjak që zhvillohet në palcën e kurrizit. Për trajtimin e kësaj sëmundjeje, për vite është bërë pak përparim sepse mjekët nuk arrinin të kuptonin se si formohej ajo. Doktor Riçard Uillson dhe kolegë të tij krahasuan gjenet nga qelizat kanceroze të pacientes me qelizat e paprekura të lëkurës së saj. Doktor Uillson thotë se kjo është hera e parë që mjekët arrijnë të vëzhgojnë në mënyrë të plotë grupin e gjeneve nga një pacient me kancer. Kjo është shumë e rëndësishme pasi mund t’i ndihmojë mjekët të kuptojnë se çfarë ndodh me këto qeliza, si preken ato nga kanceri. Në qelizat kanceroze, shkencëtarët kanë njëjtësuar 10 ndryshime gjenetike. Një prej gjeneve të ndryshuara bllokon efektin e barnave kimoterapike, ndërsa 4 gjene të tjera duket se bllokojnë mekanizmin që parandalon shndërrimin e qelizës në kanceroze. Doktor Uillson thotë se kur këto gjene ndryshohen, kjo bën që kanceri të dalë jashtë kontrollit.

Shkencëtarët tani po punojnë për të njëjtësuar llojet e ndryshimeve gjenetike që mund të shkaktojnë kancer dhe shpresojnë se nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku, ata do të jenë në gjendje të identifikojnë përbërjen gjenetike të çdo pacienti me kancer. Mjeku Ros Levajn thotë se ai beson se këto kërkime do të transformojnë mënyrën e deritanishme të trajtimit të pacientëve me kancer, duke përcaktuar saktë llojin dhe kohëzgjatjen e trajtimit për çdo pacient. Shkencëtarët gjithashtu thonë se duke mësuar përbërjen gjenetike të një pacienti të veçantë, kjo do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë barna të reja më të efektshme kundër kancerit.

Bisfenoli –A në shishet plastike

Para dy muajsh, agjencia amerikane e barnave njoftoi se kimikati bisphenol-A në shishet dhe plastike nuk përbën rrezik për shëndetin. Por këshilltarët shkencor të kësaj agjencie nuk janë dakord me këtë vendim.

Një komision i pavarur shkencor thotë se agjencie e ushqimeve dhe ilaçeve nuk i përfilli të dhënat e rrezikut të plasfenolit A, kimikat që përdoret për prodhimin e shisheve plastike që përdoren për mbajtjen e ushqimit të foshnjeve. Në raportin e këtij komisioni, agjencia kritikohet sepse e mbështeti vendimin e saj vetëm në studimet e financuara nga industria kimike, dhe nuk mori parasysh studimet tek kafshët në laborator që e lidhin Bisphenolin-A me kancerin, diabetin dhe probleme të tjera shëndetësore.

Bisphenol-A gjendet kudo; në enët plastike të ushqimit, në shishet plastike të ujit, në lugët, pirunët, thikat plastike. Të dhënat tregojnë se 93 përqind e amerikanëve kanë në organizmin e tyre sasi të ndryshme Bisphenol-A. Por shqetësimi më i madh është efekti që ky kimikat mund të ketë tek foshnjet, në trurin dhe sjelljen e tyre. Administrat e ushqimeve dhe ilaçeve thotë se kërkime të tjera në këtë fushë do të ishin tepër të vlefshme. Ndërkohë, Kanadaja po merr masa për ndalimin e përdorimit të shisheve plastike me ushqime foshnjesh, që përmbajnë Bisphenol-A. Gjithashtu disa dyqane i kanë hequr nga shitja shishet me ushqime fëmijësh që përmbajnë këtë kimikat.

Vaksinë nikotine

90 përqind e atyre që pijnë duhan në Shtetet e Bashkuara përpiqen ta lënë atë. Por shpesh nuk kanë sukses, megjithë mënyrat e shumta. Disa arrijnë të mos pinë duhan për disa ditë a pak javë dhe krejt papritur ndezin një cigare dhe pakuptuar i janë rikthyer zakonit të vjetër. Shkencëtarët thonë se nikotina shkon në tru brenda 5 sekondave nga thithja e saj dhe nikotina është një lloj droge që arrinë ta sundojë organizmin shumë shpejt e ta bëj atë të ndërvarur. Por në treg dalin shpesh prodhime të reja që i ndihmojnë njerëzit të lenë duhanin. Për shembull, tashmë ka cigare me bateri që përmbajnë nikotinë por jo duhan e tym. Por këto lloj cigaresh pa tym së shpejti do t’u duhet të konkurojnë me një vaksinë të re nikotine e cila synon të parandalojë trurin që të dërgojë sinjale të cilat i thonë organizmit se nikotina e bën të ndjehet mirë, dhe pas pak kohësh trupi nuk ndjen më nevojën për nikotinë dhe personi e lë duhanin. Organizata botërore e shëndetësisë përllogarit se afro 5 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje të shkaktuara nga pira e duhanit dhe nëse kjo prirja e tanishme vazhdon, në vitin 2020 ky numër mund të arrijë në 10 milionë.


XS
SM
MD
LG