Lidhje

Përpjekje për të ndihmuar industrinë amerikane të automobilëve


Presidenti Bush dhe ligjvënësit republikanë thonë se nuk mund të mbështesin një plan të Partisë Demokrate për të ndihmuar industrinë e automjeteve, e cila ndeshet me vështirësi të shumta. Kjo industri është dëmtuar ndjeshëm nga rritja e çmimit të karburantit dhe rënia ekonomike.

Demokratët mbështesin një plan për të përdorur 25 miliardë dollarë nga plani në ndihmë të ekonomisë që të shpëtohet industria amerikane e automjeteve. Por administrata e Presidentit Bush thotë se do të ishte gabim t’u ofroheshin fonde prodhuesve të makinave pa u kërkuar më parë të ristrukturonin këtë industri që të bëhej më e aftë të konkurojë në treg.

Administrata sugjeron që kompanitë e prodhimit të automjeteve të ndreqin financat duke shfrytëzuar një kredi që është miratuar më parë nga Departamenti i Energjetikës. Kjo kredi prej 25 miliardë dollarësh u miratua për ta ndihmuar këtë industri që të modernizojë teknologjinë dhe të ndërtojë automjete që nuk djegin shumë karburant.

Perspektivat për miratimin para fundit të vitit të një pakete shpëtimi prej 25 miliardë dollarësh për industrinë e automobilëve u venitën dje, kur demokratët në Kongres dhe administrata e presidentit Bush u dukën se nuk janë të prirur për arritjen e një marrëveshjeje.

Ndihma për 3 kompanitë e mëdha të automobilëve, të goditura nga kriza ekonomike me uljen e shitjeve dhe dhënien e kredive, po bie viktimë e mosmarrëveshjeve partiake se ku do ta kenë burimin fondet.

Demokratët në Senat thanë se do të përpiqen për miratimin e planit të tyre që një pjesë e paketës prej 700 miliardë dollarësh për shpëtimin financiar të përdoret për pagimin e huave, por këshilltarët e të dyja partive dhe grupe lobiste, që ndjekin hollësitë e planit, thonë se demokratët nuk i kanë votat e nevojshme.

Shtëpia e Bardhë dhe republikanët në Kongres këmbëngulin se fondet për shpëtimin e industrisë së automobilëve duhet të sigurohen nga ristrukturimi i një programi të veçantë prej 25 miliardë dollarësh i miratuar nga Kongresi për të ndihmuar këtë industri që të prodhojë makina, që djegin më pak karburant.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Heri Riid, tha se do të mbajë këtë javë një votë provë për planin e ndihmës ekonomike, që përfshin edhe kreditë për 3 kompanitë e automobilëve, plan për të cilin shumica e pranon se nuk ka shans të miratohet.
Senatori Riid tha se në një rast të tillë, ai do të kërkojë hedhjen në votë të paketës për shpëtimin e industrisë së automobilëve dhe kompensimet për papunësinë.

Kjo mund të hidhet në votë që nesër. Senatori Riid tha se Kongresi duhet të veprojë sepse kriza e industrisë së automobilëve mund të ketë pasoja të tjera për ekonominë, si edhe për miliona punëtorë amerikanë.

“Nevoja për të bashkëpunuar, nuk ka qënë asnjëherë më e madhe. Senatorëve u duhet të veprojnë. Ne mund të presim deri në janar kur të mblidhet kongresi i ri dhe kur të përurohet presidenti i ri ose mund të punojmë për zgjidhjen e disa prej këtyre problemeve që tani”.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë sqaroi qendrimin e saj lidhur me paketën e ndihmave, duke thënë se administrata nuk do që kompanitë e automobilëve të dështojnë.

Zëdhënësja e presidentit Bush, Dana Perino, u ankua se mjetet e informimit nuk e kanë njoftuar korrekt qëndrimin e administratës lidhur me këtë çështje. Zonja Perino bëri gjithashtu të qartë kundërshtimin e administratës që pjesë e paketës së shpëtimit prej 700 miliardë dollarësh të përdoret për të ndihmuar kompanitë e automobilëve.

“Nëse Senatit i kanë mbetur 3-4 ditë punë deri në pushime, pse kjo kohë të mos shfrytëzohet për të zgjidhur probleme që ne mund të biem dakord, si për shembull 136 format e huave, si dhe 25 miliardë dollarët, e caktuar specifikisht për kompanitë e automobilëve. Shpresojmë që senati të bashkëpunojë me ne për këtë çështje”, u tha gazetarëve zonja Perino.

Zonja Perino tha gjithashtu se presidenti ka thënë se dëshiron që këto kompani të ndihmohen dhe kjo është arsyeja që administrata ka ofruar një formë ndërpartiake për t’ia arritur këtij qëllimi.

Ajo tha se paketa e shpëtimit prej 700 miliardë dollarësh nuk u miratua nga kongresi për të shpëtuar kompanitë e automobilëve apo sektorë të tjerë të ekonomisë, por thjeshtë për të shpëtuar sektorin financiar nga kriza.

Debati në Uashington përkon me gjendjen gjithnjë e më të rënduar financiare të kompanive General Motors, Ford Motor dhe Chrysler.

General Motors, prodhuesi më i madh i automobilëve në vend, mund të jetë në gjendje më kritike. Sipas shifrave të njoftuara ditët e fundit nga vetë kjo kompani, ekspertët thonë se General Motors mund të falimentojë, nëse nuk meren masa të menjëhershme. (ze)

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG