Lidhje

SHBA: Kompanitë e automobilëve kërkojnë ndihmën qeveritare


Ekzekutivët kryesorë të 3 kompanive më të mëdha të automobilëve u përpoqën të bindnin një grup senatorësh se kriza financiare globale po kontribuon në problemet e tyre.

Por kryetari i komisionit bankar, demokrati Christopher Dodd u tha ekzekutivëve se ata nuk mund të pretendojnë se nuk e kishin parashikuar gjendjen, sepse kompanitë e tyre kanë ndeshur në vështirësi për vite me rradhë. Senatori Dodd tha se këto kompani nuk bënë ndryshime dhe tani të gjithë po ndjejnë pasojat.

“Këto kompani jo vetëm që kanë vazhduar si zakonisht prodhimin, por në shumë raste kanë nxitur kërkesën për makina jo efikase, të cilat kanë shkaktuar shumë probleme për konsumatorët amerikanë. Ata i përçmuan makinat hibride si një ide që nuk kishte kuptim. Ata nuk kanë përfillur kërcënimin e ngrohjes globale, rolin që kanë luajtur produktet e tyre dhe dëshirën e popullit amerikan për masa parandaluese”.

Demokratët në Kongres duan që një pjesë e paketës së shpëtimit prej 700 miliardë dollarësh t’u jepet këtyre kompanive. Por republikanët në Senat dhe administrata e presidentit Bush janë kundër.

Tre ekzekutivët thanë se në rast të falimentimit të njërës prej 3 kompanive, pasojat do të ndjehen tek 2 kompanitë e tjera dhe te vetë ekonomia amerikane.

Zyrtari i lartë i General Motors, Riçërd Uegënër, tha se dështimi i industrisë së automobilëve do të ishte me pasoja katastrofike, dhe do të rezultonte në humbjen e miliona vendeve të punës.

“Nuk jam dakord me ata që thonë se ne nuk po bëjmë mjaft për të qënë të suksesshëm. Ajo që do të na çonte ne drejt dështimit, nuk janë produktet tona, apo strategjia afat-gjatë dhe dëshira e punonjësve për të punuar shumë. Dështimi ynë tani do të ishte rezultat i drejtë përdrejtë i krizës financiare globale”.

Por kritikët republikanë thonë se kriza financiare nuk është e vetmja arsye për problemet e kompanive të automobilëve. Ata thonë se makinat nuk janë efikase dhe kostoja e prodhimit është më e lartë se sa e kompanive të huaja të automobilëve.

Drejtori i kompanisë Ford Motor Alan Mulalli tha se kompania e tij ka marrë masa për të krijuar më shumë të ardhura.

Shitjet e makinave Chrysler ranë 25 për qind në 9 muajt e parë të këtij viti, rënia më e madhe e një prodhuesi të rëndësishëm automobilësh. Ekzekutivi i kompanisë Chrysler, Robert Nardelli, tha se pa ndihmën e qeverisë federale, kompania e tij nuk do të ketë fonde të mjaftueshme për të qëndruar në biznes. (ze)

XS
SM
MD
LG