Lidhje

Erik Holder mund të jetë prokurori i parë i përgjithshëm afrikano-amerikan


Media amerikane ka nxjerrë njoftime sipas të cilave presidenti i zgjedhur, Barack Obama ia ka ofruar postin e Prokurorit të Përgjithshëm Erik Holderit. Zoti Holder ka shërbyer si zëvendës prokuror i përgjithshëm në administratën e ish-Presidentit Bill Klinton. Nëse emërohet dhe konfirmohet nga senati, zoti Holder do të jetë afrikano-amerikani i parë në krye të Departamentit të Drejtësisë.

Erik Holder ka hyrë në histori edhe më parë, si zyrtari më i lartë afrikano-amerikan në departamentin e drejtësisë kur u caktua zëvendës prokuror i përgjithshëm nga Presidenti i atëhershëm Bill Klinton në vitin 1997.

Një tjetër ish-zëvendës prokuror i përgjithshëm, Paul Meknalti thotë se zoti Holder mund të hyjë prapë në histori nëse Senati konfirmon emërimin e tij në krye të Departamentit të Drejtësisë.

“Dhe kjo është një arritje pothuajse aq e madhe në historinë tonë kombëtare, pas fitores së senatorit Obama”.

Si një përkrahës i hershëm i fushatës së zotit Obama, zoti Holder luajti një rol kyç në përzgjedhjen e Senatorit Xho Bajden si kandidat për nënpresident.

Ish-prokurori është diplomuar nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Kolumbias dhe në të kaluarën ka punuar në divizionin për integritetin publik në Departamentin e Drejtësisë. Ai ka shërbyer si prokuror në Uashington.

Ish-prokurori federal Riçard Ben-Veniste thotë se zoti Holder është shumë i kualifikuar.

“Erik Holder ka aftësitë që të jetë një Prokuror i Përgjithshëm i shkëlqyer”.

Megjithëse i respektuar dhe i pëlqyer nga kolegët, shërbimi i zotit Holder në Departamentin e Drejtësisë nuk kaloi pa debate.

Disa njerëz e kritikuan atë që ata e quajtën një ndërhyrje me forcë

të departamentit të tij, kur autoritetet amerikane bastisën një shtëpi në Majami për t’i rikthyer 6 vjeçarin Elian Gonzales, babait të tij kuban.

Zoti Holder u përball gjithashtu me kritika se nuk kishte ngritur zërin kundër faljes presidenciale për financierin Mark Rich, i cili u largua nga Shtetet e Bashkuara pasi ndaj tij ishte ngritur padi për evazion fiskal dhe mashtrim.

Por me demokratët në kontroll të Senatit, disa thonë se konfirmimi i zotit Holder është diçka e sigurt.

“Nëse Eriku ka bërë ndonjë gabim, nuk bëhet fjalë për gabime të mëdha që nuk do ta lejonin emërimin e tij të konfirmohej”.

Zoti Meknalti thotë se konfirmimi i zotit Holder do të shihet si një hap pozitiv për komunitetin afrikano-amerikan, falë rolit të të këtij departamenti për të respektuar zbatimin e ligjeve të vendit për të drejtat civile.

“Departamenti i Drejtësisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe nëse Erik Holder bëhet kreu i tij, ai veçse do të vazhdojë ta përmirësojë imazhin e tij”.

Sipas disa burimeve, nëse konfirmohet, një përparësitë për zotin Holder do të jetë përmirësimi i reputacionit të Departamentit pas akuzave për ndërhyrje politike nga Shtëpia e Bardhë gjatë administratës së Presidentit Bush. //kk//


XS
SM
MD
LG