Lidhje

Goditje të mëtejshme ndaj ekonomisë amerikane


Sipas njoftimeve të fundit, çmimet e mallrave me pakicë shënuan një rënie në masë në muajin tetor. Gjithashtu edhe industria e ndërtimit të shtëpive pësoi një rënie të madhe në tetor. Ndërkohë, drejtuesit e lartë të industrisë amerikane të automobilëve po i kërkojnë Kongresit ndihmë financiare prej dhjetëra miliardë dollarësh për të shpëtuar firmat nga falimentimi.

Wall Streeti vazhdon të pësojë goditje të reja, ndërkohë që qeveria publikoi lajme të tjera të këqija ekonomike. Departamenti Amerikan i Punës tha se çmimet e mallrave të konsumit ranë 1 përqind në tetor, rënia më e madhe brenda një muaji në 61 vjet.

Ndërsa një raport nga Departamenti i Tregtisë tregoi një renie rekord në ndërtimin e shtepive. Ndërtimi ra 4,5 përqind në tetor, duke shenuar një numër rekord që nga 1959 në renien e numrit të shtëpive të reja në ndërtim.

Ndërkohë drejtuesit e industrisë së automobilëve vazhdojnë përpjekjet për të siguruar 25 miliard dollarë ndihmë emergjente nga qeveria. Drejtuesi i General Motors, Riçard Vagoner, u tha ligjvënësve se renia e tanishme në shitjen e makinave rrezikon mbijetesen e kompanisë së tij.

“Ajo që na rrezikon të falimentojmë tani është kriza globale financiare që ka kufizuar kreditimin dhe reduktuar shitjet në një numër rekord që nga Lufta e Dytë Botërore.”

Drejtuesit e lartë thonë se falimentimi i njërës prej kompanive do të sillte rezultate katastrofike me humbje masive disa milionëshe të vendeve të punës.

Adminstrata e presidentit Bush dhe shumë ligjvënës republikanë janë kundër ndihmës financiare për industrinë e automobilëve.

Ligjvënësi republikan Spencer Bachus thotë se ndihma financiare nuk do të zgjidhë problemet fundamentale të auto-prodhuesve.

“Ndihma financiare për industrinë e automobilëve vetëm sa do ta shtynte më tej situatën. Për të mbijetuar, tre kompanitë duhet të ndryshojnë dhe të bëhen më efikase dhe konkurrente.”

Ligjvënësi demokrat Barni Frenk e kritikoi atë që ai e quajti mbajtje krahu në përdorimin e paketës së shpëtimit prej 700 miliard dollarësh për bankat ose me fjalë të tjera ndihmë vetëm për nëpunësit.

“Përse ishte kaq e pranueshme për sektorin financiar, dhe kjo u bë për të menjanuar problemet makroekonomike duke ndihmuar sektorin financiar.....por për të ndihmuar industrinë e prodhimit dhe punonjësit kjo nuk u duket e drejtë.”

Ligjvënësi Frank dhe të tjerë thonë se ndihma e menjëhershme për auto-industrinë është e nevojshme për të shmangur një keqësim të mëtejshëm të ekonomisë amerikane. Presidenti i sapozgjedhur Barak Obama ka thënë se ndihma për industrinë e automjeteve do të jetë një nga prioritetet e tij pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë në janar.//kk//

XS
SM
MD
LG