Lidhje

Bota pret me shumë shpresë presidencën Obama


Presidenti i zgjedhur, Barak Obama, do të përballet me një krizë ekonomike ndërkombëtare dhe dy luftëra, kur të fillojë punën si presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara më 20 janar. Por presidenti i ri do të përballet edhe me pasojat e suksesit të tij të dyfishtë politik, shpresat e mëdha që ai ka ngjallur tek amerikanët dhe tek popujt e tjerë nëpër botë. Korrespondenti ynë, Xhim Mëllon, i bën një analizë të hollësishme pozicionit të presidentit të ri.

Përkrahësit e presidentit të zgjedhur, Barak Obama, patën një përvojë euforike natën e zgjedhjeve, pasi kandidati nga Illinoi shënoi një fitore të thellë ndaj senatorit republikan, Xhon Mekein.

Por disa ditë më pas, zoti Obama i paralajmëroi amerikanët se nuk ka zgjidhje të menjëhershme për sfidat ekonomike që ndesh vendi. "Nuk do të jetë e shpejtë dhe nuk do të jetë e lehtë për ne që të dalim nga situata në të cilën ndodhemi. Por Amerika është një vend i fortë dhe dinamik, dhe kam bindjen se ne do t’ia arrijmë këtij qëllimi, në qoftë se lëmë mënjanë partizanllëkun dhe politikën, dhe të punojnë sëbashku si një vend e vetëm”.

Por reagimi në Shtetet e Bashkuara dhe nëpër botë pas fitores së zotit Obama ka qënë i veçantë.

Përkrahësit e tij e shikojnë këtë zgjedhje si fillimin e një epoke të re ndryshimesh progresive në Uashington.

Nëpër botë, qeveritë e huaja dhe gazeta të ndryshme ndërkombëtare janë shprehur qartë se presin ndryshime në politikat dhe pikpamjet e Shteteve të Bashkuara pas tetë vjet drejtimi nga administrata e Presidentit Bush.

Profesor Robert Gatman, drejtor i Qendrës për Politikën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington, tha në programin “Encounter” të Zërit të Amerikës, se bota është duke pritur shumë nga Obama.

“Ne jemi në dy luftra, ne jemi në gjendje problematike ekonomike, në një krizë financiare, por Obama nuk ka asnjë lloj pushteti deti më 20 janar. Megjithëse ekziston një periudhë euforie nëpër botë, kur ai të marri detyrën, shumë njerëz do të fillojnë të thonë: si ka mundësi që ai nuk bëri këtë apo atë gjë”.

Një tjetër ekspert, Norman Ornstin i Institutit amerikan “Enterprise” thotë se shpresat ndërkombëtare nga administrata Obama duhet të vihen përballë realitit.

“Barak Obama do të jetë një president amerikan, që do t’u shërbejë interesave kombëtare amerikane, dhe këto interesa nuk janë gjithmonë të njejta me interesat kombëtare të vendeve të tjera. Në qoftë se ata mendojnë se ai do të bëjë çfarë duan ata, ky do të jetë një gabim i madh”.

Zoti Obama demonstroi elokuencë të shkëlqyer gjatë fushatës së tij presidenciale.

Por presidentit amerikanë nga Fraklin Ruzvelti tek Ronald Regani dhe Bill Klintoni, e kanë kuptuar se aftësia për të komunikuar me popullin mbetet një faktor i rëndësishëm edhe gjatë periudhës së qeverisjes.

Ja si e shpjegon Leon Paneta, shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë në adminsitratën Klinton, këtë pozitë të presidentit amerikan.

"Që një president të jetë i sukseshëm, ai nuk duhet të shprehë vetëm vizionin se ku do ta çojë vendin, ai duhet të jetë shumë i hapur në identifikimin e sfidave që ka vendi përballë, sakrificave që duhen bërë dhe vendimeve të vështira që duhen marrë për të zgjidhur problemet që ndesh vendi”.

Zoti Obama është në pozita të favorëshme, pasi Kongresi do të kontrollohet nga partia e tij demokrate, kur ai të fillojë detyrën në janar.

Por jo gjithmonë Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi kanë bashkëpunuar me sukses.

Presidentët Franklin Ruzvelt dhe Lindon Xhonson bashkëpunuan mirë me kongresin e kontrolluar nga demokratët në fillim të madateve të tyre.

Por dy presidentët e fundit demokratë, Xhimi Karter dhe Bill Klinton, patën probleme me Kongresin në fillim të mandateve të tyre, që u kushtoi atyre politikisht.

Zoti Karter i humbi zgjedhet për një mandat të dytë në vitin 1980, ndërsa zoti Klinton u detyrua të bënte kompromis me Kongresin e kontrolluar nga republikanët, vetëm dy vjet pasi fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 1992. //rd//

XS
SM
MD
LG