Lidhje

Los Anxhelos: Ekspozita për bukurinë e shkencës


Një ekspozitë e re në Bibliotekën e Hantingtonit, pranë Los Anxhelosit, ve në pah emocionet që shkaktojnë shpikjet dhe bukurinë e shkencës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan bisedoi me drejtuesin e ekspozitës, Daniel Lewis, mbi idetë që ndryshuan botën dhe veprat impresionuese të artit, të krijuara nga shkencëtarët.

Në Bibliotekën e Hantingtonit në San Marino të Kalifornisë, gjenden disa nga librat më të rrallë të botës dhe thesare të artit botëror, që nga një Bibël e Gutenbergut, botim i shekullit të 15-të, që shërbeu si nxitje për një revolucion në fushën e mësimit, deri tek piktura e famshme e Thomas Gainsborough, “Djali në Blu”.

Kuratori Daniel Lewis thotë se një ekspozitë e re, e titulluar Shkenca e Mrekullueshme: Idetë që ndryshuan botën, tregon se shumë nga shkencëtarët e asaj periudhe gërshetuan të dy botët, atë të artit dhe të njohurive. Ai thotë se kjo shihet në punimin e shekullit të 16-të Astronomikum Cesarium, të matematikanit, përpiluesit të hartave dhe astronomit gjerman, Peter Apianus. Disa e kanë cilësuar atë librin më të bukur që është publikuar ndonjëherë.

Ai në fakt e shtypi librin vetë dhe kreu një punim artistik mbi kopertinë. Ai zbuloi sistemin e rrotullimit të disqeve prej letre, në këtë punim me përmasa të mëdha që është paraqitur në ekspozitë. Ky punim, është një instrument përllogaritës, po aq sa është edhe një vepër arti, prandaj është me të vërtetë i mrekullueshëm.

Shkencëtari britanik i shekullit të 17-të, Robert Hooke paraqet vizatime të detajuara të insekteve, kafshëve dhe substancave natyrale që studjohen me lupë në një libër me ilustrime, të titulluar “Micrografia”. Në ekspozitë është paraqitur një botim i parë i librit me përmasa tepër të mëdha dhe zoti Lewis thotë se ai tregon emocionet që provonte shkencëtari Hook për zbulimet e tij.

Ai shkruan, sikur po shikon për herë të parë në jetë, ndërsa shkruan. Ai thotë, se puna që po bënte ishte një nga gjërat më kurreshtare dhe të çuditshme dhe se ai do të vazhdojë me përshkrimin dhe ilustrimin e disa prej këtyre insekteve në këtë vepër të veçantë. Pra, vihet re një ndjenë e veçantë çudie që përshkron shumë prej këtyre veprave dhe i bën ato tepër emcionuese për t’u lexuar dhe për t’u parë.

Ekspozita tregon për zgjerimin e njohurive shkencore, shpeshherë me ulje e ngritje, nga manuskripti i shekulli i 13-të i një punimi të matematicianit të lashtësisë Ptolemeu, e deri tek disa objekte të shekullit të 20-të, si letra të Albert Ajnshtajnit dhe një libër i astronomit Edwin Hubble.

Kuratori Lewis thotë se ekspozita tregon se çdo brez mendimtarësh vazhdon punën e nisur nga paraardhësit e tyre, përmes zbulimit të ideve kryesore të zhvillimit të shkencës, ku përfshihet edhe ndryshimi i konceptit në astronomi.

Eskpozita përmban botimin e parë të një punimi të jashtëzakonshëm të Nikolla Kopernikut, De Revolutionibus, që shpjegon orbitat e planeteve përreth Diellit. Në ekspozitë janë paraqitur edhe punime të tjera themelore të kohëve të mëvonshme.

Kemi kopjen origjinale të zbulimit të madh të Njutonit, veprën Principia, botim i vitit 1687.... Kemi botimin e parë të veprës së Darvinit “Origjina e specieve”.

Rreth 250 kopje të librit të rëndësishëm të Darvinit në dhjetra gjuhë, janë radhitur në biblioteka 7 metra të larta, për të treguar ndikimin e teorisë së tij të evolucionit, seleksionimin natyral.

Lewis thotë se, në 4 dhoma të mbushura me thesare, vihen re emocionet që shkakton shkenca, si dhe disa punime arti të krijuara nga shkencëtarët, që janë frymëzuar nga zbulimet e tyre madhore

XS
SM
MD
LG