Lidhje

Mbyllet takimi i vendeve të Paqësorit në Lima të Perusë


Për dy ditë, 21 anëtarët e Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit u takuan me dyer të mbyllura. Ata dolën duke shfaqur besim dhe thanë se kriza globale ekonomike mund të kapërcehet për 18 muaj.

Udhëheqësit e vendeve të Paqësorit mbështetën një plan veprimi miratuar në takimin e fundit të fuqive të mëdha ekonomike, përfshirë një masë një vjeçare për të ndaluar ngritjen e barrierave të reja tregëtare. Ata morën gjithashtu hapa për të rigjallëruar bisedimet e bllokuara të tregëtisë botërore.

Këtë vit, takimi i nivelit të lartë i APEC-ut kishte një vend të ndryshëm në histori, pasi u mbajt ndërsa vendet në gjithë botën po intensifikojnë përpjekjet për të zgjidhur krizën ekonomike.
Presidenti Bush u tha anëtarëve të APEC-ut që duhet të punojnë së bashku.

“Vendet po ndjejnë efektet e hidhura të krizës financiare. Unë e kuptoj këtë. Kështu të gjithë ne duhet të jemi pjesë e zgjidhjes”.

Ai tha se përparimi për një marrëveshje të re për tregëtinë botërore është thelbësor.

“E kuptoj që unë nuk do të jem më në detyrë këto dy muaj, por gjithsesi kjo administratë do të bëjë të gjitha përpjekjet që të ndërtojë mekanizmat në mënyrë që objektivat e Dohas të plotësohen dhe ne të mund të përçojmë mesazhin se ne refuzojmë proteksionizmin në shekullin e 21-të”.

Pjesëmarrja në këtë forum ishte e fundit në skenën botërore e zotit Bush, si president i Shteteve të Bashkuara. Dhe ndërsa këshilltarëtthonë se ai shkoi në Limë me një program të ngjeshur, ai e pranoi se ishte bërë pak nostalgjik kur u takua me udhëheqësit e tjerë botërorë.

Kryeministri kanadez Stivën Harper i tha Presidentit Bush se do t’i mungojë sinqeriteti i tij.
Klima nuk ishte edhe aq e gëzueshme kur Presidenti Bush u takua në Lima me Presidentin rus Dmitri Medvedev.

Udhëheqësi rus foli për marrëdhënien e tij me Presidentin Bush duke përdorur kohën e kaluar. Javën e kaluar ai tha se shpreson që marrëdhëniet të përmirësohen kur Barak Obama të bëhet president. (ze)

XS
SM
MD
LG