Lidhje

Afganistan: Kthimi i refugjatëve dhe vështirësitë e tyre


Më shumë se 5 milion refugjatë afganë janë kthyer në shtëpitë e tyre që prej përmbysjes nga pushteti të qeverisë taleban në vitin 2001. Por ndërkohë që dhuna në vend përkeqësohet dhe zyrtarët përpiqen të riintegrojnë të rikthyerit, ritmi i tyre po ngadalsohet.

Në vend kalimin kufitar Torkam, në Afganistanin lindor, refugjatët kthehen në atdhe pas shumë vitesh, në disa raste pas disa dekadash mërgimi në Pakistan.

Ata shkojnë në kampe të përkohshme të shpërndarë në gjithë vendin, ku Kombet e Bashkuara sigurojnë ushqime, ilaçe dhe një sasi të vogël parash. Pastaj ata përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre, që lanë para shumë kohësh.

Që prej përmbysjes së regjimit taleban më 2001, më shumë se 5 milion njerëz janë kthyer. Por gati një e pesta e tyre ende kërkojnë një shtëpi të përhershme pasi jetojnë në kampe, ku ata shpresojnë të mbijetojnë një dimër tjetër të ashpër.

“Fëmijët e mi mblodhën këto copa buke duke lypur. Ne nuk kemi as miell e as bukë. Ne nuk kemi asgjë,”thotë një grua refugjate.

Përkeqësimi i dhunës në Afganistan dhe ekonomia e rënduar kanë bërë që të ngadalsohet numri i të kthyerve. Rreth 1,2 milion afganë u kthyen në vend një vit pas përmbysjes së talebanëve. Këtë vit, pritet që ky numër të jetë 280 mijë.

Një kamp në veri të kryeqytetit Kabul është plot me njerëz që u strehuan nëpër shtëpi nga qeveria para 2 vjetësh. Por pasi kanë jetuar për vite në kushte shumë më të mira në mërgim, refugjatë si Zamari thonë se ata nuk mund të mbijetojnë në këto kushte.

“Ne nuk kemi qymyrgur për t’u ngrohur. Ne nuk kemi asgjë. Kushtet në shtëpitë e siguruara nga qeveria ishin me të vërtetë të vështira. Ishte shumë ftohtë dhe nuk gjenim dot punë”.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe Irani u zotuan këtë javë të shtojnë përpjekjet për riintegrimin e miliona afganëve, të shpërngulur ose që jetojnë në mërgim.

Komisioneri i lartë i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, thotë se të kthyerit e fundit përballen me vështirësi edhe më të mëdha se sa ata që janë kthyer më parë.

“Demografia e popullsisë refugjate në vendet, që japin strehim, ka ndryshuar. Shumica jetojnë në qytete. Gjysma kanë lindur jashtë atdheut të prindërve të tyre. Brezat e rinj nuk ka të ngjarë të kthehen për të jetuar në një fshat të largët apo një mënyrë të panjohur jetese”.

Këtë javë, zyrtarë nga Irani dhe Pakistani u zotuan të mos detyrojnë refugjatë afganë të kthehen në vendin e tyre.

Ata afganë, që kthehen në vendin e tyre, por nuk kanë shtëpi, presin shumë nga qeveria. Ata thonë se nuk duan gjë tjetër nga qeveria veçse një shtëpi dhe kushte të qëndrueshme jetese e mundësi për të punuar. (ze)

XS
SM
MD
LG