Lidhje

Shqipëri: Ministri i Jashtëm Basha do të merret si i pandehur në Prokurori


Në Shqipëri, Ministri i Jashtëm Lulezim Basha do te merret si i pandehur në procesin hetimor që po zhvillohet për ndërtimin e një segmenti të rrugës Durrës Kukës. Zoti Basha i cili hetohet për veprimtarinë e tij si ish ministër i Transporteve është kërkuar të merret në pyetje ditën e enjte. Kjo është bërë e ditur mbrëme nga avokati i zotit Basha, i cili përmes një deklarate e ka quajtur këtë vendim të prokurorisë si shkelje të hapur të ligjeve dhe një veprim që flet qartë sipas tij për një prapavijë politike nga ana e organit të akuzës.

Pozita e Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha në çështjen e rrugës Durrës Kukës, duket se është rënduar, pikërisht atëherë kur dosja pritet të dërgohet në gjykatë. Ai është thirrur nga Prokuroria e Përgjithshme për t’u paraqitur pas dy ditësh. Këtë herë në cilësinë e të pandehurit.

Sipas një deklarate të avokatit të zotit Basha, Ministrit i është komunikuar se do të merret në pyetje, pasi të njihet me akuzën. Nga ana e prokuorisë nuk ka patur asnj njoftim. I vetmi element i bërë i ditur është fakti se dosja është pezulluar për dy nga tre personat e tjerë të marrë të pandehur, ish zëvendësministrin Armand Teliti dhe ish drejtoreshën e rrugëve, Lejla Saraçi.

Në këtë mënyrë, rrethi i personave të akuzuar ngushtohet vetëm në dy, ish Ministri i Transporteve Lulëzim Basha dhe ish drejtori Juridik i kësaj ministrie Andi Toma. Ndërsa për këtë të fundit akuza e deritanishme është ajo e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, ende nuk dihet asgjë për akuzën e pritshme ndaj zotit Basha.

Avokati i tij, Zef Nikaj, përmes deklaratës së shpërndarë mbrëmë është shprehur se veprimet e prokuorisë janë në shkelje të hapur të ligjeve. Së pari, sepse sipas tij, zoti Basha per momentin është person nën hetim dhe si i tillë, nuk mund të detyrohet të paraqitet në Prokurori. Së dyti, sepse në shkresën ku i njoftohet se do të meret si i pandehur, nuk jepet akuza dhe as motivimi i saj. Po ashtu, sipas avokatit, pas vendimit të gjykatës së Tiranës javën e shkuar, që bllokonte kryerjen e hetimeve të mëtejshme, klienti i tij nuk mund të merret në pyetje.

Gjithashtu, ai shton se vendimin e saj Prokuoria duhet t’ja kishte komunikuar edhe atij si avokat mbrojtës. Të gjithë këto elementë dëshmojnë sipas avokatit Nikaj, një abuzim me pushtetin nga ana e Prokurorisë.

“Shpërfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit te Gjykatës demonstron qartë prapavijën e pastër dhe prapaskenat politike të trajtimit të kesaj çeshtjeje dhe përdorimin si një mashë politike te Prokurorise se Përgjithshme”, - shton më tej avokati.

Hetimet për rrugën Durrës - Kukës kanë nisur prej më shumë se një viti e gjysëm, ndërsa që prej dhjetorit të shkuar parlamenti i ka hequr imunitetin zotit Basha. Dyshimet e organit të akuzës kanë të bëjnë me koston e lartë të segmentit Rrëshen - Kalimash, i cili po ndërtohet nga një konsorcium amerikano-turk.

Në shkurt të këtij viti, Kontrolli i Lartë i shtetit foli për shkelje flagrante dhe një dëm ekonomik prej disa dhjetra millionë Eurosh, që i ishte shkaktuar shtetit shqiptar, për shkak, siç konstatohej nga specialistët e këtij institucioni, të rritjes fiktive të kostove dhe një kontrate me kushte favorizuese. Pothuajse në të njejtën linjë duket se kanë qenë edhe ekspertët e angazhuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas asaj që ka botuar shtypi i këtushëm, ekspertët janë shprehur për një abuzim me mbi 230 milionë Eurosh dhe se vlera totale pritet të shkojë në mbi 1 miliardë Euro.//lk

XS
SM
MD
LG