Lidhje

Lidhjet SHBA-Evropë nën administratën e re; ndikimi tek Ballkani


Tetë vjetët e administratës së Presidentit Bush u shoqëruan me marrëdhënie shpesh të sforcuara mes Uashingtonit dhe vendeve evropiane. Me fitoren e Barak Obamës në zgjedhjet e nëntorit, kryeqytetet evropiane shpresojnë që të vendoset një linjë më funksionale komunikimi për çështje globale që kanë rëndësi për të dyja anët e Atlantikut. Ndërsa vendet e Ballkanit synojnë integrimin në BE, Brukseli shpreson që mbështetja amerikane të mos mungojë në zgjidhjen e problemeve të mbetura në rajon.

“ ...Ne e treguam edhe një herë se forca e vërtetë e vendit tonë nuk buron nga fuqia e armëve tona apo mirëqenia jonë, por nga fuqia e pashtershme e idealeve tona: demokracia, liria, mundësia dhe shpresa e pathyeshme, u shpreh Presidenti i zgjedhur Barak Obama në fjalimin e tij të fitores më 4 nëntor.

Zoti Obama ka thënë se politika e tij e jashtme do të jetë më e prirur nga diplomacia dhe do ta përdorë forcën ushtarake vetëm si zgjidhje të fundit. Për evropianët ky është një ndryshim i mirëpritur.

“Ne shpresojmë që administrata e re të ketë një rol më të madh udhëheqës sesa administrata aktuale për ndryshimet klimatike dhe sigurisht kërcënimet ndaj paqes botërore, si gjendja në Irak, në Pakistan dhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme. Për këto çështje ne kemi shpresa të mëdha për një rol udhëheqës nga administrata e zotit Obama në bashkëpunim me Evropën dhe vendet e tjera”, thotë Ambasadori John Bruton, kreu i pranisë së Komisionit Evropian në Washington.

Ai shprehet për Zërin e Amerikës, se përparësia kryesore e këtij bashkëpunimi do të jetë rimëkëmbja e sistemit financiar dhe ribalancimi i ekonomisë në botë.

Federiga Bindi, eksperte italiane e çështjeve të integrimit të Bashkimit Evropian dhe aktualisht studiuese në Institutin Brookings në Uashington tërheq vëmendjen se duhet parë sesi ky bashkëpunim do të funksionojë në realitet.

“...sepse mendoj që evropianët kanë shpresa të tepruara lidhur me atë që do të jetë në gjendje të bëjë Obama. Por në përgjithësi është një klimë shumë pozitive dhe një gjë e tillë duhet të ndihmojë shumë”.

Ballkani është një nga drejtimet ku bashkëpunimi transatlantik ka qenë i frytshëm. Ambasadori Bruton thekson rëndësinë e procesit të integrimit.

“Unë besoj se perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një nga faktorët më stabilizues në politikën e vendeve të Ballkanit aktualisht”.

Zonja Bindi bie dakord.

“Unë mendoj se në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë ne patjetër që duhet t’i integrojmë këto vende. Janë pjesë e kulturës sonë dhe është e vetmja mënyrë për të sjellë paqe në rajon. Është në dorën e këtyre vendeve që të plotësojnë standardet sa më shpejt, apo të humbin kohë duke u marrë me probleme të brendshme për t’u futur në BE”.

Një nga problemet e pazgjidhura në Ballkan mbetet Kosova e cila me gjithë shpalljen e pavarësisë në shkurt, me mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara, paraqet sfida në arenën ndërkombëtare.

Në një kohë kur ka ende paqartësi për rolin e EULEX-it, ambasadori Bruton vë në dukje se po bëhen përpjekje për të gjetur zgjidhjen më të mirë.

“E kuptoj që nuk është arritur ende një marrëveshje e plotë por se nga të gjitha palët ajo po konsiderohet në një atmosferë dëshire të mirë për të arritur një marrëveshje për këtë çështje të vështirë”.

Zonja Bindi thotë se Kosova është tani një çështje evropiane.

“Pavarësia e Kosovës është një nga çështjet e politikës së jashtme (amerikane) që gëzon mbështetje nga të dyja palët. Por gjithsesi unë mendoj se amerikanët mendojnë se do të jetë puna e evropianëve që të merret tani me të dhe kam idenë se ata nuk duan të shpenzojnë më para për atë zonë të paktën në fushën e mbrojtjes”.

Zonja Bindi thotë se përgjegjësia për Ballkanin ka kohë që ka filluar të kalojë tek evropianët:

“Por do të jetë e para herë që do të jetë plotësisht në duart e evropianëve. Pra do të rritet përgjegjësia e evropianëve në rajon”.

Ambasadori Bruton është më i përmbajtur. Ai thotë se ky proces ka filluar por duke qenë se edhe shumë vende të Bashkimit Evropian, mbështeten tek Shtetet e Bashkuara për sigurinë ushtarake, përmes NATO-s, roli i tyre do të vazhdojë të jetë për një kohë të pacaktuar shumë i rëndësishëm.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të japin një kontribut të rëndësishëm – përfshirë EULEX-in dhe prania e tyre në Ballkan jep siguri. 12:18: 57: Shtetet e Bashkuara dhe Evropa plotësojnë njëri-tjetrin. Si fuqia kryesore ushtarake në botë, Shtetet e Bashkuara mund të sigurojnë stabilitetin e menjëhershëm. Por pastaj përgjegjësia kalon tek Bashkimi Evropian që ka një rol më të gjerë dhe të sofistikuar, më të zhvilluar për të ndërtuar paqen në rajon”. //kk//

XS
SM
MD
LG