Lidhje

Këshilli i Sigurimit mbështet vendosjen e EULEX-it në Kosovë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shprehu mbështetjen e tij për rikonfigurimin e Misionit të UNMIK-ut dhe vendosjen e EULEX-it atje. Këshilli i Sigurimit zhvilloi dje një sesion, ku shprehën qëndrimet e qeverive përkatëse edhe shefat e diplomacisë së Kosovës dhe Serbisë.

Në raportin e tij të fundit mbi Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mun bëri thirrje për rikonfigurimin e këtij misioni dhe vendosjen e EULEX-it.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç shprehu mbështetjen e tij për rekomandimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së:

"Dëshiroj që ta shoh këtë raport të vënë në zbatim si dhe tonin më të fortë që ka përdorur Këshilli i Sigurimit në mbështetje të punës së Sekretarit të Përgjithshëm, që lidhet me propozimin për rikonfigurim si dhe për vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian për drejtësinë dhe policinë në përputhje me rezolutën 1244 dhe statusin e neutralitetit që parashtron në raportin e tij Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Sa më i fortë të jetë toni, aq më shumë shanse do të kemi për të arritur të vëmë në zbatim këtë punë të rëndësishme që duhet të përmbushim së bashku."

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, shprehu gjithashtu mbështetjen e Prishtinës për EULEX-in, duke thënë se dislokimi i misionit ishte “kritik” dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës do të përfitonin nga prania e tij.

"EULEX-i do të gëzojë mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve dhe popullit të Kosovës."

Por qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë planin me 6 pika të Sekretarit të Përgjithshëm mbi çështje që lidhen me policinë, doganat, drejtësinë, kufijtë, transportin, infrastrukturën si dhe objektet e trashëgimisë serbe.

"E kemi hedhur poshtë plotësisht këtë plan. Për më tepër, e kemi bërë të qartë se nuk do të tolerojmë, nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës."

Prishtina thotë se plani me 6 pika çon në krijimin e dy administratave paralele brenda një vendi të vetëm. Prishtina shqetësohet gjithashtu se ky plan parashikon një shtim të ndjeshëm të ndikimit serb në çështjet e brendshme të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara e përshëndetën raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, dhe vlerësuan përparimin e konsiderueshëm që ka shënuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë në shkurt.

Në një deklaratë të Departamenti të Shtetit, thuhet se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm për t’ia përshtatur rolin e OKB-së realitetit të ri të krijuar në Kosovë, duke zvogëluar misionin e UNMIK-ut dhe duke ia kaluar kompetencat për drejtësinë dhe policinë misionit të EULEX-it.

Por, thekson më tutje deklarata, Uashingtoni e vë theksin tek nevoja për të respektuar plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe në këtë kontekst nënvizon në veçanti angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që kalimi i kompetencave do të bëhet në bashkëpunim dhe konsultim të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës.

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në sesionin e djeshëm të Këshillit të Sigurimit Rozmari Dikarlo, nënvizoi në fjalën e saj shqetësimet e ngritura nga autoritetet e Kosovës në deklaratën e tyre të 18 nëntorit, ku theksuan se hedhin plotësisht poshtë planin prej 6 pikash të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Por, theksoi më tutje zonja Dikarlo, autoritetet e Kosovës kanë shprehur angazhim për të mundësuar vendosjen e misionit të EULEX-it.

Zonja Dikarlo përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara që veprimet në të ardhmen të ndërmerren duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Për këtë arsye, shtoi ajo, Uashingtoni e mirëpret angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të vazhduar konsultimet dhe bashkërendimin me autoritetet në Prishtinë.

Shtetet e Bashkuara, tha më tej zyrtarja amerikane, do të luajnë një rol aktiv në misionin e EULEX-it permes policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve amerikanë që do të punojnë përkrah homologëve të tyre evropianë.

Shtetet e Bashkuara, tha në mbyllje të fjalës së saj zonja Dikarlo, u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë process, në veçanti qeverive të Kosovës dhe Serbisë, të angazhohen në një mënyrë që garanton vendosjen e shpejtë të misionit të EULEX-it në Kosovë. //ad//

XS
SM
MD
LG