Lidhje

Basha: Akuzat për çështjen e rrugës Durrës-Kukës, janë politike


Ministri i jashtëm i Shqipërisë Lulëzim Basha tha sot në një konferencë shtypi se akuzat e ngritura ndaj tij për çështjen e rrugës Durrës-Kukës, janë politike.

Ai tha se në të vërtetë bëhet fjalë për një proces kundër kësaj rruge, të cilën ai e cilësoi si projektin më madhor kombëtar. Ai tha se prej afro një viti, Prokuroria nuk e ka thirrur asnjë herë për të dëshmuar dhe se organi i akuzës ka fjetur mbi këtë dosje.

Zoti Basha akuzoi qartë Prokurorinë se me veprimet e saj ajo është ndikuar, sipas tij, nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithëshme kërkoi që zoti Basha të paraqitej për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit dhe për t’u njohur me akuzat. Ministri i Jashtëm refuzoi të paraqitej në Prokurori duke i konsideruar procedurat e ndjekura ndaj tij si shkelje flagrante të ligjit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve zoti Basha tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Ndërkohë, në reagimin e saj, përmes zëdhënëses Mimi Kodheli, PS tha se Ministri i Pandehur Lulëzim Basha i bën Shqipërisë dhe Kosovës dëm të madh.

Ajo tha se Ministri Basha, një “lule” sipas saj e korrupsionit në oborrin qeveritar, duhet të largohet nga posti i Ministrit dhe të paraqitet në bankën e të akuzuarit.



XS
SM
MD
LG