Lidhje

SHBA: Tranzicioni presidencial – proces i vështirë dhe intensiv


Në Shtetet e Bashkuara, kur një president largohet nga posti dhe vjen një tjetër, procesi kalimtar nga njëra administratë në tjetrën është mjaft kompleks dhe në të marrin pjesë qindra njerëz. Kjo garanton kalimin pa pengesë të funksioneve në departamentet dhe agjencitë e ndryshme qeveritare. Le të ndjekim tani se si e përshkruajnë tranzicionin presidencial disa zyrtarë amerikanë që janë marrë me këtë proces.

Është fundi i një administrate presidenciale dhe fillimi i një tjetre. Qeveria amerikane i vazhdon pa ndërprerje funksionet e saj në sajë të një procesi kalimtar që i jep mundësi presidentit të ri ta fillojë pa probleme ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Kur Presidenti i zgjedhur Barak Obama të bëjë betimin më 20 janar, administrata e tij e re do të ketë njohuri të hollësishme rreth operacioneve të gjera të qeverisë sepse zyrtarët e të gjitha niveleve në administratën e vjetër janë takuar dhe kanë informuar zyrtarët kryesorë që do të punojnë për presidentin e ri.

Zgjedhjet mund të përfundojnë me kontestime. Por siç thotë zoti Al From, i cili u mor me tranzicionin në çështjet e politikave të brendëshme për Presidentin Bill Clinton në vitin 1992, politika është e ndarë nga procesi i tranzicionit.

"Ata që largohen thonë: kemi qenë në Shtëpinë e Bardhë 4 ose 8 vjet por tani partia jonë i humbi zgjedhjet dhe në fuqi po vjen administrata e re, prandaj urdhëroni çelësat. Pushtetin e keni ju. Qeveria duhet të funksionojë."

Procesi kalimtar i vitit 2000 mes presidentëve Klinton dhe Bush u vonua më shumë se një muaj për shkak të rinumërimit të votave në Florida. Beteja mes demokratit Al Gore dhe republikanit George Bush shkoi deri në Gjykatën e Lartë. Gjykata vendosi në favor të zotit Bush, i cili pastaj erdhi në Shtëpinë e Bardhë. Por megjithë këtë betejë politike, tranzicioni u bë në mënyrë të qytetëruar dhe pa probleme.

Përmasat e mëdha të qeverisë amerikane kërkojnë pjesmarrjen e qindra zyrtarëve nga administrata e re dhe nga ajo e vjetër për dorëzimin e frenave të pushtetit, siç shpjegon shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë në presidencën Klinton, Mack McLarty.

"Kjo është e pamundur të arrihet pa organizuar dhe pa i marrë një nga një si të thuash të gjitha aspektet e qeverisjes – mbrojtjen, drejtësinë, tregtinë, të gjitha agjencitë që përbëjnë kabinetin, të gjitha agjencitë e pavarura si NASA, zyrën e Shkencës, Fondacionin Kombëtar të Artit e të tjera. Sepse kemi të bëjmë me një qeveri të madhe federale."

Paul McNulty është marrë me tranzicionin e Departamentit të Drejtësisë për dy presidentët Bush, më 1992 dhe 2000. Ai thotë se ky ka qenë një proces i hollësishëm i cili është i zakonshëm në të gjitha aspektet e qeverisjes.

"Tranzicioni në Departamentin e Drejtësisë kërkon dhjetra njerëz që punojnë sikur të merreshin me një proces auditimi. Pjestarët e ekipit të tranzicionit takohen me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë për çdo sektor të caktuar, krijojnë një ide për buxhetin, për numrin e njerëzve në atë sektor si dhe për çështjet më të nxehta që janë në tryezë për atë moment. Pastaj, ata e përmbledhin qartë informacionin që kanë marrë dhe ia paraqesin ekipit të ri të drejtuesve që do të vijnë në Departamentin e Drejtësisë."

Por puna nuk pushon me përurimin e presidentit të ri. Clay Johnson, i cili ka qenë drejtor ekzekutiv në ekipin e tranzicionit për Presidentin Bush në vitin 2000 thotë se ky ritëm i pandalur vazhdon edhe shumë muaj të tjerë pasi administrata e re ka filluar punën.

"Të gjithë punojnë shtatë ditë në javë për ato dy muaj e gjysmë të periudhës kalimtare dhe pastaj për 6 deri në 8 muaj në administratën e re. Është një proces shumë, shumë intensiv."

XS
SM
MD
LG