Lidhje

SHBA: Fillon me vrull sezoni i blerjeve për Krishlindjet


Sezoni tradicional i blerjeve për Krishlindjet filloi me një vrull të papritur fundjavën e kaluar. Por disa analistë thonë se kjo furi shpenzimesh nuk do të mjaftojë për të rritur fitimet e shitjeve me pakicë apo ta shpëtojë këtë industri nga shitjet më të dobëta të sezonit të festave në disa dekada. Fitimet erdhën në kurriz të dyqaneve që ulën çmimet për të tërhequr konsumatorët.

Këtë bëjnë shumë amerikanë ditën pas festës së falenderimeve. Dhe menaxherët e dyqaneve janë të përgatitur. Dita quhet e premtja e zezë dhe shënon fillimin e sezonit të blerjeve për festat.

Kjo është dita kur historikisht dyqanet e shitjeve me pakicë dalin me fitime për gjithë vitin.

Një kompani studimore amerikane thotë se shitjet me pakicë të premten u rritën tre përqind nga viti i kaluar, në 10 presje 6 miliardë dollarë. Por disa analistë thonë se shpenzimet e këtij lloji kur ka ulje të mëdha çmimesh nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar industrinë nga sezoni i dobët i festave, më i dobëti në vite.

Uljet janë aq të mëdha saqë do të duhen shitje të mëdha për të nxjerrë fitime. E hëna pas ditës së falenderimeve njihet si e hëna e shitjeve në internet.

Por edhe shitjet në internet, mjaft popullore vitet e kaluara, tani kanë rënë. Një kompani studimore thotë se blerjet në internet ditën e falenderimeve dhe të premten e zezë u rritën vetëm dy përqind krahasuar me një vit më parë.

Disa konsumatorë nuk po kërkojnë as në internet dhe as në dyqane. Ata presin për çmime edhe më të ulta pranë krishlindjeve.

Çmimet janë të mira por jo sa duhet. Më duket se mund të ulen edhe më tepër. Po pres të shoh çdo të ndodh, thotë ky blerës.

Pritja e tyre është më e shkurtër, një pengesë tjetër për dyqanet. Këtë vit janë vetëm 27 ditë mes ditës së falenderimeve dhe krishlindjeve. Pesë ditë më pak sesa vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG