Lidhje

Dy banka evropiane ulin shkallën e interesit


Dy banka të mëdha qëndrore të Evropës ulën shkallën e interesit në përpjekje për të pakësuar ndikimin negativ të krizës financiare në botë.

Zyrtarë të Bankës Qëndrore Evropiane bënë uljen më të madhe të interesit në historinë e kësaj banke me 0.75 për qind. Ndërkohë, Banka e Anglisë uli shkallën e interesit me 1 për qind, duke e çuar atë në nivelin më të ulët që nga viti 1959.

Interesat më të ulëta bankarë e bëjnë më të përballueshme për njerëzit të marrin hua për të paguar për shtëpitë e tyre, bisneset dhe investime të tjera, që vënë në lëvizje ekonominë.

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, propozoi një plan të ri për të ndihmuar në nxitjen e ekonomisë së vendit dhe në mos mbylljen e vendeve të punës. Plani i ri prej 30 miliardë dollarësh përfshin investimet në industrinë e automobilëve dhe projekte të infrastrukturës.

Edhe qeveria amerikane po shqyrton mundësinë e marrjes së masave për të ndikuar tek interesat e borxheve dhe për të ndihmuar në stabilizimin e tregut të pasurive të patunshme në Shtetet e Bashkuara. Në bazë të planit, Departamenti amerikan i Thesarit do të blente investime të lidhura me huatë e shtëpive të reja me kusht që këto hua të kenë interes të ulët. Synimi është që të lehtësohet për konsumatorët marrja e borxhit për të blerë shtëpi.

Një raport tjetër ekonomik tregonte se niveli i punësimit u përmirësua pak, por vazhdon të jetë i dobët. Departamenti i Punës thotë se 21 mijë veta më pak, të pushuar nga puna kohët e fundit, kërkuan ndihmë financiare, megjithatë numri i të papunëve vazhdon të jetë i lartë, në 509 mijë. Edhe numri i njerzve që vazhdojnë të kërkojnë ndihmë për shkak se nuk kanë punë arriti në nivelin më të lartë në 26 vjet. (ze)

XS
SM
MD
LG