Lidhje

SHBA: Raport i Kongresit mbi kërcënimin e sulmeve terroriste


Ditët e fundit u publikua një raport i kongresit mbi kërcënimin e sulmeve terroriste gjatë pesë vjetëve të ardhshme. Aty thuhet se ka shumë të ngjarë që një nga qytetet kryesore amerikane apo diku tjetër të jetë objektivi i një sulmi me armë të shkatërrimit në masë, i cili do të shkaktonte viktima të shumta. Raporti bën thirrje për një ndërgjegjësim më të madh ndërkombëtar dhe kontrolle më të forta mbi këto armë dhe përhapjen e tyre.

Ndërsa bota vazhdon të reagojë ndaj sulmeve terroriste të javës së kaluar në Bombei që vranë më shumë se 170 persona, një raport i ri i kongresit amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duhet të përgatiten për diçka shumë më të rëndë.

Komisioni për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe Terrorizmin thotë se një nga qytetet kryesore të botës mund të goditet nga armë të shkatërrimit në masë deri në vitin 2013. Bashkëkryetari i komisionit, ish senatori Xhim Talent.

"Terroristët janë të organizuar mirë për të marrë qoftë armë bërthamore apo biologjike, por këto të fundit mund të jenë më të lehta për t’u vënë në veprim".

Në tetor të vitit 2001, antraksi u gjet në disa ndërtesa qeveritare në Uashington përfshi Kapitolin. Dy punonjës të zyrës postare gjetën vdekjen. Një sulm terrorist biologjik mund të fillojë si një incident e më pas të përhapet jashtë kontrollit thotë Xhon Pajk, drejtor i faqes elektronike Global Security.Org

"Problemi me sulmin biologjik është se nuk e dimë çfarë agjentësh mund të përdoren. Agjentë të ndryshëm biologjik do të sillnin pasoja të ndryshme. Por mundësia është gjithmonë se një terrorist i vetëm mund të përhapë një epidemi që mund të prekë mbarë planetin".

Armët kimike si gazi nervor janë përdorur tashmë në sulme në qytete kryesore. Në mars të vitit 1995 një grup kultësh lëshuan gazin sarin në metronë e Tokios. 12 veta humbën jetën dhe mijëra të tjerë u sëmurën.

Ekspozimi i popullatës së qytetin ndaj rrezatimin bërthamor mund të bëhet me të ashtuquajturën bomba e fëlliqur që përdor eksplozivë konvencional për të përhapur materialin radioaktiv.

Ndikimi i një bombe të tillë në një zonë si distrikti financiar i Nju Jorkut mund të jetë shkatërrimtar.

"Efekti kryesor i shumë bombave të tilla është ndotja radioaktive e një zone dhe paniku. Ajo ka kosto ekonomike dhe psikologjike tek njerëzit".

Raporti bën thirrje për masa më të forta në shtete si Rusia. Gjithashtu më shumë kontrolle mbi përhapjen e teknologjisë së armëve bërthamore. Anëtari i komisionit Tim Roemer, ish kongresmen thotë se një vend i Azisë jugore është shqetësim i veçantë.

"Kur sheh për qendrën e terrorizmit dhe përhapjen e tij, të gjitha rrugët të çojnë në Pakistan".

Raporti thotë se një sulm masiv mund të ndërmerret nga militantët e strehuar në zonat fisnore të Pakistanit. Xhon Pajk e cilëson këtë si një përzierje të rezikshme të kushteve.

"Është një vend ku ka terroristë që mund të jenë të motivuar t’i përdorin armë bërthamore dhe t’i kërkojnë ato. Në Pakistan qeveria nuk është shumë e qëndrueshme dhe ndoshta një qeveri, që ka mundësi ta humbasë kontrollin mbi armët e saj bërthamore".

Raporti bën thirrje për bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar dhe ndarje të informacionit. Aty thuhet se vendet duhet gjithashtu të bllokojnë mundësitë e terroristëve për të patur në dorë teknologjinë dhe materialet për armët e shkatërrimit në masë. //iç//

XS
SM
MD
LG