Lidhje

Bush: Iraku është më i sigurtë dhe më demokratik se në vitin 2003


Presidenti amerikan Xhorxh Bush përshëndeti qeverinë e Irakut për miratimin e dy marrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara, që sipas tij do ta forcojnë demokracinë në Irak.

Në javët e fundit të mandatit të tij presidencial, zoti Bush po u rikujton amerikanëve sukseset e administratës së tij veçanërisht në Irak. Presidenti ia dedikoi fjalimin e tij të përjavshëm përparimit të bërë pas shtimit të trupave amerikane në Irak në vitin 2007.

"Dhuna ka rënë ndjeshëm në Irak. Forcat tona i kanë shkaktuar humbje të mëdha Al Kaedës. Fuqia e ushtrisë irakiane po rritet. Ajo po merr drejtimin e operacioneve në luftën kundër ekstremistëve dhe irakianët po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pavarësisht sekteve fetare. Udhëheqësit suni, shiitë dhe kurdë po ulen në të njëjtën tryezë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre dhe për të hartuar të ardhmen e tyre. Dhe për të parën herë në shumë vjet, në sytë e rinisë irakiane po shihet drita e shpresës”.

Zoti Bush falenderoi qeverinë irakiane për miratimin e dy marrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve të fundit. Ai thotë se Marrëveshja për Kornizën Strategjike në marrëdhëniet mes dy vendeve do të sjellë një vizion të përbashkët për të ardhmen e këtyre marëdhënieve.

"Në bazë të kësaj marëveshjeje do të punojmë së bashku për të sjellë më shumë stabilitet në Irak dhe rajon. Do të nxisim tregtinë dhe investimet mes dy vendeve dhe do të mbështesim udhëheqësit e Irakut dhe shtetasit e tyre, në përpjekjet e tyre për të forcuar institucionet demokratike”.

Presidenti Bush po kështu shprehu lëvdata për Irakun mbi ratifikimin e Marrëveshjes mbi Statusin e Forcave Amerikane në Irak që sipas tij do të ndihmojë në mbrojtjen e ushtarëve amerikanë dhe punëtorëve civilë atje në një moment kur qeveria e Irakut ushtron më shumë sovranitet.

"Komandantët ushtarakë më kanë siguruar se kushtet e marëveshjes do të garantojnë mbrojtjen e amerikanëve në Irak. Gjithashtu marrëveshja respekton autoritetin e qeverisë irakiane. Ajo po kështu parashtron një platformë mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, tërheqje e cila është bërë e mundur pas suksesit të shtimit të trupave atje".

Fjalimi radiofonik erdhi pas një fjalimi që zoti Bush mbajti ditën e premte gjatë një forumi në Uashington ku ai tha se administrata ka sjellë ndryshime pozitive në të gjithë Lindjen e Mesme, vaçanërisht në Irak dhe në lidhje me proçesin e paqes izraelo-palestinez. //ad//

XS
SM
MD
LG