Lidhje

Portret i biznesmenit dhe aktivistit amerikan Adam Nieman


Zëri i Amerikës transmeton shpesh profile të amerikanëve të shquar që kanë pasur ndikim pozitiv mbi botën dhe pikëpamjet tona. Ndalemi këtë radhë tek jeta dhe vepra e Adam Nieman, një biznesmen që solli shumë ide të reja si për vendosjen e paqes dhe begatisë në Lindjen e Mesme, ashtu edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtave të punëtorëve.

Adam Nieman ka një karrierë të gjatë si aktivist politik. Në vitin 1969, kur ishte 12 vjeç u arrestua pasi po protestonte para Shtëpisë së Bardhë kundër administratës së presidentit Nikson. Në moshën 15 vjeç ai ishte praktikant në zyrën e Senatorit Xhorxh Megovern, rivali i Riçard Niksonit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1972. Nieman tregon se burim frymëzimi ishte e ëma, e cila kishte qenë aktiviste e sindikatave punëtore para se t’u angazhonte në përpjekjen kundër ndarjes racore në shkollat amerikane të shtetit Xhorxhia.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që në vitin 2001, Nieman shiti biznesin e tij, mori një kredi duke vënë shtëpinë si kolateral dhe themeloi shoqatën No Sweat Apparel – Rroba Pa Robërim. Ashtu si e tregon edhe emri, rrobat dhe këpucët e prodhuara nga kjo kompani me qendër në Boston nuk prodhohen në reparte ku punëtorët shfrytëzohen pa kriter, siç ndodh në shumë vende në zhvillim si në Indonezi, Afrikë të Jugut, Argjentinë apo territoret palestineze.

Bluzat e firmës Made in Bethlehem kanë ngjyra të ndryshme dhe disa kanë edhe figura apo parulla të ndryshme të stamposura mbi to. Një nga bluzat ka një proverb japonez:

"Vizioni pa veprim është ëndërr. Veprimi pa vizion është makth. Dhe këtë po e shohim në realitet këto ditë, thotë proverba."

Me këto fjalë, Nieman i referohet konfliktit izraelito-palestinez. Ai vetë është hebre amerikan, dhe beson se një ndër mënyrat për zgjidhjen e konflikteve është përmirësimi i ekonomisë palestineze:

"Djem të rinj të armatosur dhe pa punë, është recetë për dhunë. Megjithëse zhvillimi ekonomik nuk zëvendëson zgjidhjen diplomatike, as zgjidhja diplomatike nuk mund të mbijetojë pa një ekonomi të qëndrueshme palestineze."

Thuajse gjysma e palestinezëve janë aktualisht të papunë. Industria palestineze e tekstileve, dikur një sektor shumë vital, tani ka ngecur. Prandaj, Nieman tregon se u gëzua shumë kur mësoi se në Bethlehem kishte një fabrikë ku punëtorët ishin të organizuar në Sindikatën e Punëtorëve Palestinezë. Menjëherë, tregon Adam, vendosa të shkoj ta shoh vetë. Ai kaloi një javë me punëtorët dhe drejtuesit e fabrikës:

"Kur u ktheva të gjithë më pyetën si m’u dukën palestinezët. U tregova se ishin tamam si familja ime: flasin me zë të lartë, grinden, janë tepër të zjarrtë. Janë kokëfortë. Edhe në pamje duken si familja ime, me të vetmin ndryshim që s’të lënë të fusësh dorën në xhep."

Megjithatë, ai tregon se palestinezët nguruan fillimisht kur i ftoi të bashkoheshin në projektin e tij:

"Një pjesë e problemit është fakti që secili prej tyre është vrarë në një moment të caktuar. Ata kanë ushqyer edhe më parë shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve mes hebrenjve dhe arabëve dhe janë zhgënjyer. E kanë të vështirë të ringjallin shpresa të tilla."

Elias Alarja është menaxheri i përgjithshëm i fabrikës së tekstileve Alarja. Ai ishte personi që organizoi punëtorët në sindikatë në vitin 2005 dhe tani të gjithë punëtorët kanë rroga të garantuara mbi pagën minimale, pushime vjetore dhe sigurime shëndetësore. Dhe tani, falë bashkëpunimit me projektin Made in Bethlehem të Adam Nieman, ai thotë se edhe kompania po përfiton më shumë.

"Që kur filluam bashkëpunimin me Adamin, puna po ecën shumë mirë. Kemi rritur 10 për qind fitimet dhe vëllimin e punës."

Adami tregon se thuajse të gjithë ata që kanë mësuar për ekzistencën e këtij projekti kanë fjalë të mira. Ai beson se bluzat i tërheqin konsumatorët me mesazhe konkrete që flasin për vuajtjet e popullatës në Lindjen e Mesme. Për momentin, kostoja e prodhimit është më e lartë se fitimet nga shitjet, dhe Adam Nieman thotë se po ndesh vështirësi në përballimin e biznesit. Por Nieman, i cili e përshkruan veten si një hebre më tepër përparimtar se besimtar, thotë se nuk e ka humbur shpresën:

" Fakti që kemi gjetur një gjuhë të përbashët për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët në Rrugën Shën Maria në Betlehem, them se shumë njerëz do ta konsideronin këtë – një mrekulli." //ad//
XS
SM
MD
LG