Lidhje

Susën Rajs, kandidate për ambasadore amerikane në OKB


Presidenti i zgjedhur, Barak Obama, ka emëruar një prej këshilltarëve të tij për politikën e jashtme gjatë fushatës presidenciale në një nga postet më të larta diplomatike. Më 1 dhjetor, zoti Obama njoftoi emërimin e Susën Rajs si ambasadore e ardhshme e Shteteve të Bashkuara në OKB. Zonja Rajs ka shërbyer si ndihmës-sekretare e Shtetit për çështjet e Afrikës gjatë administratës së presidentit Klinton, madje ka qënë një mbrojtëse e fortë e ndërhyrjes ushtarake për të ndaluar gjenocidin në Darfur.

Para 10 vjetësh, pasi shërbeu në administratën e presidentit Klinton, Susën Rajs u bë një prej personave në moshë më të re që u emërua ndihmës-sekretare e shtetit për çështjet afrikane.

Në moshën 32 vjeçare, përgjegjësitë e saj shtriheshin në 40 vende.

Kur al-Kaida bombardoi admbasadat amerikane në Tanzani dhe në Kenia, zonja Rajs ishte pjesë e procesit vendim-marrës rreth përgjigjes së qeverisë amerikane.

Ndërsa Presidenti i zgjedhur Barak Obama e emëroi zonjën Rajs si ambasadoren e tij në OKB, ajo e cilësoi vendimin e tij si një sinjal për botën se Amerika është në rrugën e ndryshimeve dhe i duhet të përmbushë sfida të reja.

“.... që janë parandalimi i konfliktit, nxitja e paqes, luftimi i terrorizmit, parandalimi i përhapjes dhe përdorimit të armëve bërthamore, lufta kundër ndryshimeve klimatike, dhënia fund gjenocidit, lufta kundër varfërisë dhe sëmundjeve”.

Susën Rajs ka lindur në vitin 1964. Ajo ka fituar bursën prestigjioze Rods dhe është diplomuar nga Universitetet Stanford dhe Oxford.

Pas shërbimit të saj në qeveri, zonja Rajs foli rreth tmerreve që kishte parë në Ruandë në vitin 1994, trupa të dekompozuar të viktimave të gjenocidit. Ajo është zotuar të bëjë ç’është e mundur për të parandaluar vrasje në masë në të ardhmen.

Kohët e fundit, zonja Rajs i bëri thirrje hapur kongresit që të autorizojë përdorimin e forcës për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Darfur të Sudanit, ku Kombet e Bashkuara llogarisin se deri në 300 mijë veta kanë vdekur.

Si studiuese në Institutin Brookings, qendër kërkimore këtu në Uashington, vitin e kaluar zonja Rajs dëshmoi lidhur me krizën në rajonin e Darfurit para një komisioni të Senatit amerikan.

“Dua ta bëj më se të qartë. Jam menduar fare mirë për të arritur në përfundimin për përdorimin e forcës ushtarake, qoftë edhe të sulmeve të kufizuara. Ashtu si edhe ju Senator Bajdën, natyrisht që jam kundër vrasjes së njerzve, por unë mendoj se në një moment të caktuar, ne duhet të pyesim veten nëse është mbushur kupa”.

Duke pasur parasysh shqetësime të tilla, këshilltarët kanë ngritur çështjen e shitjes së armëve Sudanit nga ana e Kinës.

Princtën Lajmën, ish ambasador amerikan në Afrikën e Jugut dhe në Nigeri, thotë se zonja Rajs mund të shfrytëzojë dëshirën e Kinës për njohje ndërkombëtare.

“Ajo mund ta kushtëzojë pozitën e një vendi në botë me bashkëpunimin drejt paqes në Darfur. Nëse dikush mund ta bindë Kinën dhe Rusinë që të pakësojnë furnizimin me armë, ose t’i kushtëzojnë ato në një farë mënyre, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara”.

Zoti Lajmën thotë gjithashtu se vendimi i Presidentit Obama për ta ngritur postin e ambsadorit amerikan në OKB, në nivel kabineti është shumë i rëndësishëm.

“Ne nuk e bëjmë këtë me ambasadorët në Gjenevë apo edhe në NATO. Një vendim i tillë dërgon një mesazh shumë të fortë dhe i jep zonjës Rajs shumë më tepër ndikim dhe respekt në Nju Jork”.

Në Kombet e Bashkuara, zonja Rajs do të përballet me tensionet e vazhdueshme rreth vendimit të administratës së presidentit Bush për luftën në Irak dhe më vonë për reforma në organizatën ndërkombëtare.

Bret Shaifër i fondacionit konservator Heritage, thotë se shpesh vetëm diplomacia nuk arrin të kapërcejë mosmarrëveshjet afat-gjata.

“Duhet pranuar se herë herë vendet nuk bien dakord. Dhe kjo është një mënyrë e drejtë dhe e dobishme për të parë çështjet e politikës së jashtme”.

Komuniteti diplomatik e shikon qëndrimin e zonjës Rice kundër luftës dhe lidhjet e saj me administratën e re si një avantazh.

Zoti Shaifër thotë se disa njerëz e kanë cilësuar zonjën Rajs si një njeri me karakter të fortë dhe të qartë, por ai thotë se në botën e diplomacisë shpesh një gjë e tillë është avantazh.

Zonja Rajs është vlerësuar si një njeri me ndërgjegje të fortë dhe me një të kaluar me bazë në arenën e diplomacisë. Ajo do të përballet me seanca pyetje-përgjigje në Senatin amerikan dhe me një votim për konfirmimin e saj, para se ajo të mund të bëhet, në moshën 44 vjeçare, ambasadorja e dytë amerikane me moshën më të re në OKB. (ze)

XS
SM
MD
LG