Lidhje

5 persona të akuzar për sulmet e 11 shtatorit duan të pranojnë fajësinë


Pesë persona të akuzar për komplotin e sulmeve të 11 shtatorit, që mbahen në bazën ushtarake amerikane të Gjirit të Guantanamos në Kubë dhe ndaj të cilëve ka filluar procesi gjyqësor, i thanë gjykatësit se duan të pranojnë fajësinë, megjithëse kanë shtyrë paraqitjen zyrtarisht të fajësisë së tyre.

Në sallën e gjyqit të Guantanamos, gjykatësi, një kolonel i ushtrisë amerikane, lexoi letrën e 5 të pandehurve, ku ata kërkojnë një seancë të posaçme, në mënyrë që të pranojnë përfshirjen e tyre në sulmet e 11 shtatorit, ku u vranë 2 mijë e 973 njerëz.

Gjykatësi tha se do të merrte në pyetje secilin nga të pandehurit, për t’u siguruar se i kuptojnë implikimet e planit të tyre, që ka shumë mundësi çojë në dënimin e tyre me vdekje.

Disa prej burrave, mes tyre më i njohuri, Khalid Sheik Mohamed, më parë i patën thënë gjykatës se ishin përfshirë në sulmet e 11 shtatorit dhe se kërkonin që të ekzekutoheshin, duke arritur kështu atë, që ata e shohin si vepër prej martirësh.

Sipas letrës, a të 5 burrat e morën këtë vendim më 4 nëntor, ditën që Barak Obama u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara. Zoti Obama ka thënë se ai do që ta mbyllë qendrën e ndalimit në Guantanamo dhe se do ta shqyrtojë edhe një herë sistemin e komisioneve ushtarake të debatueshme, përmes të cilave po gjykohen burrat në fjalë.

Një numër ekspertësh thanë se të pandehurit mund të mendojnë se po u ikën rasti për t’u bërë martirë. Por Xhoan Mariner, e Organizatës "Human Righst Watch", thotë se kjo mundet të mos jetë diçka e keqe për ta.

"Ajo që do Khalid Sheik Mohamed, është që të bëhet martir. Dhe përse ne duhet t’ja servirim atij këtë gjë, në një mënyrë të tillë, që mund të shihet në botën myslimane si një proces jo i drejtë? Përse ai të mos i nënshtrohet një procesi të drejtë dhe pastaj cilido të jetë rezultati, ai do të konsiderohet si i drejtë,"- thotë ajo.

Zonja Mariner thotë se Organizata "Human Rights Watch" kërkon që të gjithë të ndaluarit e Guantanamos të transferohen në burgjet e Shteteve të Bashkuara dhe ndaj tyre të zhvillohet proces gjyqësor i rregullt, qoftë në gjykata civile, apo ushtarake. Disa prej tyre, përsëri mund të përballen me dënimin me vdekje nga këto gjykata, por do të ishte më e vështirë për prokurorët që të përmbushin të gjitha kriteret.

Një zëdhënës i Pentagonit nuk pranoi të bënte komente lidhur me zhvillimet e fundit në Guantanamo. Por zyrtarët thonë se komisionet ushtarake do të vazhdojnë punën, sipas planit, deri sa të marrin urdhëra të tjera që mund të jepen nga Presidenti i ri, pasi ai të bëjë betimin më 20 janar.

Zonja Mariner e "Human Rights Watch", po ashtu shprehu shqetësimin se disa, ose të gjithë të pandehurit e akuzuar lidhur me sulmet e 11 shtatorit mund të jenë detyruar që të pranojnë fajësinë. Kur dolën për herë të fundit në gjyq, në qershor, juristët amerikanë të caktuar si avokatë mbrojtës për disa prej tyre, e akuzuan Khalid Sheikh Mohamedin se i kishte frikësuar klientët e tyre, që t’i bashkoheshin qëndrimit të tij sfidues ndaj gjykatës.

Të pandehurit e tjerë të akuzuar për kompllotin në sulmeve të 11 shtatorit, janë Ramzi Binalshibh, Mustafa Ahmed al Hawsawi, Walid bin Attash dhe Ali Abdul Aziz Ali.//lk


XS
SM
MD
LG