Lidhje

Barnat statin. Imazhet shume dimensionale. Pijet alkoholike.


Ilaçet Statin


Rreth 25 milionë njerëz në mbarë botën marrin barna statin për mbajtjen nën kontroll të nivelit të kolesterinës. Statinët janë edhe mes barnave me shitjen më të madhe në botë. Vlera e tyre arrin rreth 22 miliardë dollarë në vit.

Mjekët thonë se një studim i ri i kryer nga prodhuesit e ilaçit statin Crestor mund të ndihmojë për të njëjtësuar më shumë pacientë me rrezik ndaj goditjeve në zemër e bllokimit të artereve në tru. Studimi i paraqitur pranë shoqatës amerikane kundër sëmundjeve të zemrës lë të kuptohet se nga marrja e një ilaçi statin për uljen e kolesterinës mund të përfitojnë edhe personat me artere të pezmatuara megjithëse kanë nivel normal ose të ulët kolesterine.

Për shumë vite, barnat statinë u janë janë rekomanduar pacientëve me nivel të lartë kolesterine, për t’i ndihmuar që të parandalojnë bllokimin e artereve dhe të ulin rrezikun e goditjeve në zemër, si dhe të shmangin hemoragjitë cerebrale. Por studimi i ri arriti në përfundimin se këto lloj barnash mund të ndihmojnë edhe 30 përqind të pacientëve të tjerë për parandalimin e sëmundjeve në zemër. Sipas prodhuesve të barnave statin që financuan studimin, nga marrja e këtij ilaçi do të përfitonin edhe 32 milionë njerëz me nivele normale të kolesterinës, por me shenja pezmatimi arterial.

Studimi i quajtur Jupiter, mori në shqyrtim 18 mijë vetë për dy vjet. Rezultatet ishin aq të qarta e bindëse sa që shkencëtarët e panë të arsyeshme të mos e vazhdonin më tej. Kardiologu Dejvid Purl pranë spitalit të universitetit Xhorxhtaun në kryeqytetin amerikan, thotë se ilaçet statin tani do të shihen edhe më shumë si mjete të besueshëm në mjeksinë parandaluese. Ai thotë se shkencëtarët po përpiqen për ta sulmuar sëmundjen që në fazë të herëshme, në mënyrë që njerëzit të trajtohen para se të pësojnë goditje në zemër dhe për t’i shpëtuar ata nga ndërhyrjet kirugjike.

Studimi Jupiter u përqëndrua në ilaçin Rosuvastatin, që shitet nën emrin Crestor. Studimi u krye në mënyrë të pavarur, megjithëse u financua nga firma farmaceutike Crestor. Kjo firmë prodhon edhe ilaçin që mban të njëjtin emër. Crestor - Krestor është një ilaç relativisht i ri mes barnave të shumta të tjera llojit statin që shiten me recetë në farmaci. Crestor është edhe një nga ilaçet më të shtrenjta në treg. Doktor Purl thotë se mjekët dhe pacientët duhet të peshojnë të mirat që sjell ilaçi, koston dhe efektet anësore të tij. Pas përdorimit për një kohë të gjatë, ilaçet statin mund të prekin mëlçinë, ndërsa studime të tjera kanë treguar se statinët ndikojnë në një farë shkalle edhe në shtimin e rrezikut të prekjes nga diabeti. Doktor Purl thotë se rezultatet e studimit të ri nuk duhet të kuptohen se çdo njeri me nivel normal të kolesterinës duhet të marrë statin. Ky lloj ilaçi duhet të merret vetëm kur personi ka shenja të pezmatimit të artereve të gjakut. Duke u njohur me rezultaet e studimit, doktor Purl i universitetit Xhorxhtaun mendon se tani gjithnjë e më shumë mjekë do të kërkojnë që si pjesë e ekzaminimit rutinë të pacientit të përfshihet edhe analiza e veçuar e gjakut për të njëjtësuar proteinën reaktive C.

Imazhet kompjuterike në ndihmë të kirurgjisë


Një kompjuter i ri që mundëson paraqitjen shumë dimensionale të trupit të njeriut shumë shpejt mund të përdoret nga mjekët për të pare nga brenda organizimin e pacientëve. Kjo paisje e re është zhvilluar nga shkencëtarët pranë universitetit të Kalgarit në Kanada. Ata thonë se pamjet e prodhuara nga ky kompjuter janë me një rezolucion 10 herë më të lartë sesa fotografitë e zakonëshme. Profesori Paul Gordon thotë se nga kjo pajisje do të përfitojnë si studentët e mjekësisë edhe pacientët. Për shembull para një operacioni të vertebrës, nëpërmjet kësaj paisjeje me pamje shumë dimensionale, mjeku është ne gjendje të kryeje operimin në mënyrë virtuale dhe të shikojë efektet e mundshme, para se të kryejë operimin e vërtetë. Projektuesit e këtij kompjuteri me imazhe shumë dimensionale thonë se pajisja do t’u jape mjekëve një mënyrë të re për kuptimin dhe trajtimin e sëmundjeve.

Pijet alkoholike

Marrja e moderuar e pijeve alkoholike mund të përmirësojë shëndetin, por studimet e kohëve të fundit tregojnë se kur kjo këshillë shpërdorohet, atëherë krijohen probleme në zemër. Autorët e studimit morën në shqyrtim mijëra gra të moshës 30 deri 40 vjeç dhe vunë re se ato që merrnin dy ose më shumë gota me pije alkoholike në ditë rrezikoheshin për t’u prekur nga çrregullimet e rrahjeve në zemër.

Shumë studime kanë arritur në përfundimin se konsumimi në masë apo i moderuar i pijeve alkoholike ul në një fare shkallë rrezikun për t’u prekur nga sëmundje në zemër.
Pyetja që shtrohet është: Çfarë sasie quhet e moderuar dhe a dëmtohet zemra nga tejkalimi i kësaj mase?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, shkencëtarët morën në shqyrtim rreth 35 mijë gra në moshë mesatare. Ata vunë re se edhe dy gota pijesh alkoholike në ditë venë në rrezik shëndetin e zemrës. Studimi u krye nga shkencëtarët pranë spitalit të grave dhe Brigham në Boston, të cilët vëzhguan e grumbulluan të dhëna më shumë se 12 vjet duke i pyetur grate në mënyrë periodike rreth përdorimit të alkoholit dhe çfarë problemesh kishin provuar gjatë ose pas pirjes.

Këto të dhëna shkencëtarët i krahasuan me të ato të grumbulluara duke pyetur një grupi tjetër grash që nuk pinin alkohol. Ata arritën në përfundimin se grate që kishin pirë 2 ose më shumë gota në ditë ishin 60 përqind më në rrezik për t’u prekur nga çrregullime të rrahjeve të zemrës ose atrial fibrillation, gjendje që shton gjasat për goditje a paralize. Ndërsa, gratë që kishin konsumuar më pak se dy gota pijesh në ditë nuk patën ndonjë rrezik për problem në zemër. Sipas ekspertëve, kjo lë të kuptohet se përdorimi i pijeve alkoholike në mënyrë të kufizuar, më pak se dy gota në ditë, është mënyra më e mire për të patur një zemrë të shëndetëshme në periudhë afatgjate. Rezultatet e studimit u botuan në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, Jama

XS
SM
MD
LG