Lidhje

Obama: Guvernatori Bllagojeviç të japë dorëheqjen


Presidenti i zgjedhur Barak Obama iu bashkua të mërkurën thirrjeve që guvernatori i shtetit Ilinoi Rod Bllagojeviç të japë dorëheqjen, si rezultat i skandalit shtetëror që kërcënon të zhvendosë vëmendjen nga përgatitjet për inaugurimin e zotit Obama si presidenti i ri i vendit në janar.

Zëdhënësi i zotit Obama Robert Gibs tha se guvernatori Bllagojeviç duhet të japë dorëheqjen pasi do ta ketë të vështirë të përmbushë detyrën e tij në mënyrë efektive në rrethanat aktuale. Mbi guvernatorin Bllagojeviç rëndojnë një numër akuzash për korrupsion. Ai u arrestua të martën nën akuzën se është përpjekur të shesë për para ose favore politike vendin e mbetur bosh në Senat pas zgjedhjet së zotit Barak Obama si president i ardhshëm.

Ndër politikanët e interesuar për vendin në Senat është edhe ligjvënësi demokrat nga Ilinoi, Xhesi Xhekson i Riu. Zoti Xhekson mohoi dje të jetë përzier në ndonjë akt të jashtëligjshëm në marrëdhëniet me guvernatorin Bllagojeviç dhe tha se ai nuk është objekt në procesin hetimor për korrupsion:

“I hedh poshtë dhe i dënoj veprime të tilla ku karriera politike paguhet me para dhe nuk kam asnjë përfshirje në akte të paligjshme. Nuk kam qenë nismëtar dhe nuk kam autorizuar asnjeri t’i premtonte gjë në emrin tim guvernatorit Gllagojeviç.”

Prokurorët federalë thonë se nuk ka ndonjë provë që të ngrejë dyshime se zoti Obama kishte dieni për përpjekjet e guvernatorit të Ilinoit për t’ia shitur vendin e senatit kandidatit me ofertën më të lartë. Zoti Obama bëri komente për gazetarët të martën:

“Nuk kam pasur kontakte me guvernatorin apo zyrën e tij dhe nuk jam në dieni të atyre që kanë ndodhur.”

Por pritet që skandali që sapo ka shpërthyer të largojë në një farë mase vëmendjen nga përgatitjet e zotit Obama për të bërë betimin si presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara. Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan Majk Dankën nxori një deklaratë ku i kërkon zotit Obama të bëjë publike të gjitha kontaktet e ekipit të tij të tranzicionit me zyrën e guvernatorit. Megjithatë, republikanë të tjerë, u treguan më të rezervuar në reagimet e tyre. Ligjvënësi republikan Mark Kërk nga Ilinoi bëri komente për kanalin televiziv MSNBC:

“Do t’ju habis kur them se mbështes presidentin e zgjedhur Obama. Lidhjet e tij me këtë çështjet, në skenarin më ekstrem janë vetëm të skajshme.”

Ligjvënësi republikan Rej Lahud këtë vit largohet nga Dhoma e Përfaqësuesve. Edhe ai ka bërë thirrje për dorëheqjen e guvernatorit Bllagojeviç:

“Ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen sapo doli nga salla e gjyqit. Por ky njeri nuk ka turp. Ai duhet të japë dorëheqjen. Nëse jo, atëherë duhet të fillojë procesi gjyqësor për shkarkimin e tij. Ka vetëm një fjalë për ta përshkruar sjelljen e tij ‘babëzi’.”

Por ligjvënësi Lahud shpreh gjithashtu shqetësimin se skandali në Ilinoi mund t’i marrë shumë kohë dhe vëmendje presidentit të zgjedhur Barak Obama, në një moment kur ai duhet të përgatitet për tema krejt të tjera, veçanërisht për problemet ekonomike të vendit:

“Në këtë moment ai e ka njollosur, së paku përkohësisht vendin në Senat që ka lënë bosh presidenti i zgjedhur Obama si dhe mundësinë për një rrugë vertetë të ndritur drejt Shtëpisë së Bardhë për t’u bërë presidenti i ardhshëm amerikan.”

Guvernatori Bllagojeviç ka autoritetin të emërojë pasuesin e zotit Obama, i cili e lëshoi vendin e tij në Senat pasi fitoi zgjedhjet e fundit presidenciale. Por një numër politikanësh me influencë në Illinoi kanë kërkuar që parlamenti i shtetit ta marrë përsipër këtë kompetencë të guvernatorit dhe të zhvillojë një votim të posaçëm.

Bllagojeviç iu kthye punës të mërkurën. Një nga zëvendësit e tij dha dorëheqjen, pa bërë publike ndonjë arsye konkrete.

Hollësi të tjera nga skandalit në Illinoi vazhduan të dalin dje, ndërkohë që ekipi i zotit Obama bëri publik një program 4-ditësh me aktivitete për inaugurimin e presidentit të ri. Kulmi i aktiviteteve shënohet më 20 janar kur zoti Obama të bëjë betimin si presidenti i ri i vendit në shkallët e Kapitolit. Një paradë tradicionale përmes rrugëve të Uashingtonit pason këtë ceremoni, ndërsa në mbrëmje të së martës, më 20 janar, janë parashikuar të zhvillohen një numër ballosh zyrtare.//ad//

XS
SM
MD
LG