Lidhje

Plani i shpëtimit për kompanitë e makinave, në pikëpyetje


Senatorët amerikanë po kërcënojnë ta bllokojnë paketën e shpëtimit për firmat e prodhimit të automobilëve, megjithëse të dhënat e fundit ekonomike flasin për përkeqësim të ekonomisë dhe shtim të papunësisë. Republikanët në Senat kanë qënë shumë kritikë ndaj paketës prej 14 miliardë dollarësh që u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve. Presidenti Bush dhe presidenti i ardhshëm Barak Obama i kanë bërë thirrje Senatit ta miratojë paketën. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Miç Mekonëll tha sot se paketa në formën e tanishme nuk përmban masa të forta për tre firmat e prodhimit të automobilëve, General Motors, Chrysler dhe Ford. Disa republikanë thonë se taksapaguesit amerikanë do të përfitonin më shumë nëse tre firmat do të liheshin të falimentonin.

Industria amerikane e makinave është në krizë; General Motors thotë se mund të mos ketë më para deri në fund të vitit.

Por republikanët në senat kanë theksuar se do ta bllokojnë planin disa miliarda dollarësh të shpëtimit.

Senatori republikan Richard Shelby është anëtar në Komisionin e Senatit për Bankat. Ai thotë se ligji nuk bën aq sa duhet për të detyruar firmat General Motors, Chrysler dhe Ford që të reformohen.

"Masa nuk i ristrukturon këto kompani, nuk i bën ato konkurrente dhe nuk i bën ato të mbijetojnë. Plani thjesht shtyn për më vonë atë që është e pashmangshme".

Administrata e presidentit Bush thotë se është pothuajse dakort me konceptin e projektligjit.

Propozimi do të bëjë të mundur dhënien e miliarda dollarëve hua nga qeveria për General Motors dhe Chrysler. Fordi nuk do të marrë hua të menjëhershme por do të ketë më vonë mundësinë të përdor kredi nga qeveria.

Një zyrtar i emëruar nga presidenti do të monitorojë përparimin e kompanive. Zyrtari do të jetë në gjendje të pezullojë huatë dhe t’i detyrojë kompanitë të shpallin falimentin në se nuk paraqesin plane të besueshme për ristrukturim.

Zëvendës shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Xhoel Kaplan.

"Nuk është diçka që do ta bënim në kohë normale. Dhe është një masë që nuk do ta merrnin për ndonjë kompani apo industri tjetër. Jemi në kohë shumë të vështira ekonomike".

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Bush ka në plan të bisedojë me republikanët për të fituar mbështetjen e tyre për projektligjin. Në se projekt-ligji miratohet edhe në senat, kompanitë e makinave do të kenë kohë deri në fund të marsit të paraqesin një plan afatgjatë ristrukturimi.//rd//

XS
SM
MD
LG