Lidhje

Presidenti i zgjedhur Obama bën thirrje për ndihmë ndaj industrisë së makinave


Presidenti i zgjedhur Barak Obama i bëri thirrje Kongresit dhe administratës së presidentit Bush që të gjejnë një mënyrë për të ndihmuar kompanitë amerikane të automobilëve.

Zoti Obama i bëri këto komente pasi një paketë ndihmash prej 14 miliardë dollarësh nuk arriti të miratohej mbrëmë në Senatin amerikan.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të ndihmuar industrinë amerikane të automjeteve.

Zyrtarët thanë se mund t’i kalojnë kësaj industrie një shumë nga paketa 700 miliardë dollarëshe, e akorduar për sistemin financiar. Administrata e Presidentit Bush e kishte kundërshtuar një ide të tillë më parë.

Zyrtarët në Departamentin amerikan të Thesarit thanë se janë në gatishmëri për të parandaluar dështimin e firmave prodhuese të makinave, deri sa Kongresi të mblidhet përsëri për ta shqyrtuar këtë çështje.

Xhenëral Motors dhe Krajsler kanë thënë se u nevojiten rreth 14 miliardë dollarë që të vazhdojnë punën.

Administrata e Presidentit Bush ka thënë se edhe falimentimi i një prej këtyre kompanive do të sillte shkurtimin e milliona vendeve të punës në një kohë që ekonomia amerikane është në recesion.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Riid njoftoi mbrëmë vonë se ligjvënësit nuk mundën të bien dakord mbi pjesën përfundimtare të marrëveshjes dhe shtoi se mes dy palëve kishte shumë ndryshime. Zoti Rid e quajti dështimin e marrëveshjes një humbje të madhe për vendin.

Ndërkaq ligjvënësit republikanë thanë se bisedimet dështuan pasi sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e kësaj industrie nuk ranë dakord mbi një afat për uljen e rrogave të punonjësve të industrisë.

Pak pas njoftimit të senatorit demokrat Riid, Senati zhvilloi një votim procedural, 52 vota pro dhe 35 kundër, duke i dhënë kështu disfatë paketës. Për miratimin e një ligji në Senat nevojiten 60 vota.

Administrata e presidentit Bush, me anë të një deklarate, e cilësoi dështimin e bisedimeve si zhgënjyes. Shtëpia e Bardhë tha se projekt-ligji ishte mundësia më e mirë për të shmangur një falimentim me pasoja.

Edhe Xheneral Motërs, me anë të një deklarate, shprehu zhgënjimin e saj të thellë për mosmiratimin e projekt-ligjit në Senat. Kjo kompani tha se do të vlerësojë e shqyrtojë të gjitha alternativat për të qëndruar në biznes.

Paketa në fjalë do t’i jepte një shumë prej 14 miliardë dollarësh në formë huaje tre kompanive më të mëdha të automjeteve në Shtetet e Bashkuara, Xheneral Motërs, Krajslër dhe Ford. (ze)

XS
SM
MD
LG