Lidhje

Autoritetet në Prishtinë mbështesin shtrirjen e EULEX -it


Vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë edhe në pjesën veriore të Kosovës, autoritetet në Prishtinë e vlerësojnë hap të rëndësishëm në përpjekjet për shtrirjen e autoritetet të institucioneve të Kosovës edhe në atë pjesë të vendit. Që nga e marta EULEX-i ka filluar veprimtarinë e tij edhe në pjesën veriore të vendit, ku institucionet e Kosovës, posaçërisht që nga shpallja e pavarësisë nuk kanë ushtruar kontrollin e tyre.

Ministri i punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se misioni EULEX-it do të shërbejë edhe si një urë lidhëse ndërmjet qytetarëve serbë të cilët përbëjnë shumicën në atë pjese të vendit dhe institucioneve të vendit, që ata sa më lehtë dhe sa më shpejtë të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Mospajtimet e pjesëtarëve të komunitetit serb me ri konfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare janë përcjellë edhe me disa incidente që autoritete i cilësuan si të izoluara dhe të pafuqishme për të penguar shtrirjen e misionit të EULEX-it

Ne shpresojmë se nuk do të ketë më incidente të tilla, nuk ka më edhe arsye nga askush që të ketë incidente të tilla, nuk ka edhe interes legjitim të qytetarëve për të patur incidente të tilla. Jam i sigurt, nga informacionet që kemi, se edhe qytetarët nga komuniteti serb tani janë më të relaksuar sepse më së shumti ata kanë nevojë për një vendosje të rendit të sundimit të ligjit në atë pjesë”.

Ministri Pajaziti thotë se me kohë, qytetarët serbë do të fillojnë ta kuptojnë realitetin e ri në Kosovë. Megjithatë, sipas njoftimeve të ditëve të fundit, policë serbë në katër stacionet policore në veri të Kosovës, kanë vendosur të ndërpresin të gjitha kontaktet zyrtare me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, duke kërkuar kështu që ata t’i raportojnë vetëm EULEX-it. Ministri i punëve të brendshme tërheq vërejtjen se në Kosovë do të ketë vetëm një zinxhirë komandues në polici.

Është shumë me rëndësi vendosmëria jonë që të kemi një polici shumë etnike, pra jo të ndarë në veri dhe pjesën tjetër sepse kjo nuk na çon askund, dhe në këtë përpjekje kemi mbështetje të madhe edhe nga EULEX-i. Do të jetë kjo fazë pak më e vështirë, ne kemi disa ide, disa projekte që të fillojmë me disa aktivitete si me luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit etj. dhe në të cilat aktivitete do të bëjmë përpjekje që t’i aktivizojmë pjesëtarët e policisë nga të gjitha komunitetet. Kjo do të jetë mënyra më e mirë e rivendosjes së sistemit unik të policisë në tërë territorin e Kosovës”, thotë ministri Pajaziti.

Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës. Qytetarët serbë të asaj pjese vazhdojnë të kundërshtojnë ashpër shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe institucionet e republikës. Shtrirja e Misionit EULEX edhe në këtë pjesë të vendit cilësohet si një mundësi e mirë për të vendosur rendin dhe ligjin në atë pjesë e cila shpesh është quajtur edhe oazë e kontrabandës dhe e krimit të organizuar. Udhëheqësit politikë në Prishtinë thonë se kanë plane për shtrirjen e autoritetit në veri, vendosjen e sundimit të ligjit dhe integrimin e komunitetit serb, por kanë përjashtuar çdo mundësi të përdorimit të forcës për zbatimin e këtyre planeve. //mm//

XS
SM
MD
LG