Lidhje

Evropa mirëpriti zgjedhjen e z. Obama, por sa do të zgjasë ky entuziazëm?


Evropa e ka pritur ngrohtësisht Barak Obamën dhe shumica e evropianëve shprehen se zoti Obama do të jetë një president me të cilin do të merren vesh dhe i cili do të dëgjojë me kujdes mendimet dhe shqetësimet e tyre.

Bota ka nisur që tani ta shohë Barak Obamën si personin që do të merret me problemet dhe krizat botërore.

Për evropianët, financat, lufta dhe mjedisi janë tre çështjet kryesore që kërkojnë zgjidhje. Ata do të shohin me kujdes sesi presidenti i ardhshëm amerikan do t’i trajtojë këto çështje pas 20 janarit.

Qeveritë botërore e kanë pasur të vështirë të gjejnë zgjidhje për t’i ndërruar kah krizës ekonomike që kur financat botërore pësuan rënie gjatë muajve të fundit. Paketa gjigante financiare, propozime për të stimuluar ekonomitë dhe për të krijuar vende të reja pune kanë qenë disa nga përpjekjet në rang botëror.

Ekonomistja politike Valtraud Shelkle nga Universiteti Shkolla Ekonomike e Londrës thotë se shmangia e krizës është një punë e stërmadhe për çdo udhëheqës. Por ajo thotë se Evropa vazhdon t’i ketë sytë tek Amerika.

“Evropa në përgjithësi dhe mbase gjermanët në veçanti do të shpresonin që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shpenzojnë fuqishëm dhe do të vazhdojnë të jenë një treg i gjerë për prodhimet gjermane. Në të njëjtën kohë ata ankohen që amerikanët nuk kursejnë sa ç’duhet. Në një fare mënyre kjo është kontradiktore”.

Por ndërsa ekonomia mbetet tema e ditës, çështje si siguria, terrorizmi dhe lufta po kështu janë në krye të marrëdhënieve transatlantike.

Meqënëse si Shtetet e Bashkuara edhe Evropa janë të përfshira në misionin ushtarak në Afganistan dhe suksesi në Afganistan është një prioritet kryesor për administratën e zotit Obama, sipas analistit për çështje të mbrojtjes Francis Tusa, situata në Afganistan me siguri do të jetë në listën e shqetësimeve të përbashkëta.

“Besoj se zoti Obama do të ketë kontakt të menjëhershëm me homologët e tij evropianë. Besoj se me siguri gjëja e parë që ai do të kërkojë nga ata është heqja e kufizimeve për trupat evropiane që ndodhen në Afganistan. Dhe për ata që nuk ndodhen në Afganistan, ai nuk do të kërkojë shtimin e një ekipi të Policisë Ushtarake apo një njësie mjekësore të vogël, jo, jo, ai do të kërkojë më shumë trupa luftarake”.

Por historiani politik i Universitetit të Londrës, Den Plesh thotë se zgjidhja nuk qëndron tek shtimi i trupave. Sipas tij, problemi kryesor është siç e quan ai “paaftësia e vendeve të koalicionit”.

“Komanda ushtarake në Afganistan nuk ka unitet, nuk ka një doctrine ushtarake të njësuar dhe kjo nuk ka lidhje me gjermanët të cilët nuk duan të luftojnë. Është e lehtë t’i akuzosh ata. E vërteta është që trupat amerikane dhe ato të koalicionit kanë treguar paaftësi që prej fillimit të konfliktit në Afganistan”.

Shumica e analistëve bien dakord se shtimi i trupave në terren duhet të shoqërohet me negociata nëse ndërkombëtarët duan sukses atje. Shumica e tyre po kështu bien dakord që Afganistani do të jetë një provë kyçe për të ardhmen e NATO-s.

Gjatë tetë vjetëve të administratës së presidentit Bush, evropianët kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara se nuk kanë treguar rol udhëheqës në luftën kundër ngrohjes globale dhe mbrojtjen e mjedisit. Tani ata shpresojnë se gjërat do të ndryshojnë.

Çarli Kronik, një këshilltar për çështjet klimatike me organizatën Grinpis thotë se zoti Obama mund të kombinojë stimulin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit.

“Megjithë kufizimet financiare, kjo është vërtetë një mundësi e mirë. Së pari do të jetë me rëndësi investimi në ruajtjen e energjisë dhe përmirësimin e shfrytëzimit të energjisë në SHBA. Kjo do të jetë një mënyrë fantastike për të shtuar vendet e punës dhe po kështu përmirësimi i energjisë do të merret me pjesëtarët më me probleme të shoqërisë ata që nuk përballojnë dot ngrohjen në dimër dhe ftohjen në verë. Kjo u shërben të gjithëve si dhe ambjentit dhe ekonomisë”.

Do të jetë e vështirë por qofshin çështjet ekonomike, siguria ndërkombëtare, lufta, paqja apo mbrojtja e ambjentit shumica e botës do t’i hedhë sytë drejt Amerikës për të punuar bashkarisht dhe për t’i drejtuar ata. (ze)

XS
SM
MD
LG