Lidhje

Papandreu fajëson qeverinë për trazirat në Greqi


Udhëheqësi kryesor i opozitës në Greqi, Jorgos Papandreu, fajëson qeverinë për protestat e dhunshme që kanë përfshirë Athinën dhe pjesë të tjera të vendit, pas vrasjes nga policia të një adoleshenti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Jorgos Papandreu shprehu keqardhje të thellë për dhunën:

“Problemet me të cilat ndeshet aktualisht Greqia janë të atij niveli sa pritej që të kishte reagime nga shoqëria, veçanërisht nga rinia. Pa diskutim, ajo që na trondit është dhuna, shkalla e përhapjes së saj, por nga ana tjetër fakti që ka edhe një krizë më të thellë që e ka bërë rininë të ndjejë gjithnjë e më shumë pabarazinë, mungesën e mundësive për punësim, një ndjenjë padrejtësie, një ndjenjë se korrupsioni ka prekur nivelet më të larta të qeverisjes, të gjitha këto gjëra i kanë hedhur benzinë zjarrit të revoltës rinore në Greqi.”

Greqia është përfshirë për nëntë ditë radhazi nga protesta kundër incidentit që la të vrarë një adoleshent nga zjarri i armëve të policëve. Incidenti arriti të bashkonte në një zë të vetëm rininë e moderuar dhe grupet më radikale rinore. Zoti Papandreu, i cili udhëheq socialistët e opozitës, tha se shqetësimi kryesor i popullit të Greqisë është rivendosja e sundimit të ligjit. Megjithëse dhuna lidhet me incidentin që la të vrarë adoleshentin 15-vjeçar, studentët kanë protestuar edhe kundër gjendjes ekonomike dhe kanë kërkuar reforma në sistemin shtetëror të arsimit. Zoti Papandreu, i cili ka bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të reja, tha se ai do të përqendrohej në përpjekjet për të kthyer besimin tek qeveria:

“Vëmendja duhet të përqendrohet tek kthimi i besimit, besim tek mënyra si vepron qeveria, duke eliminuar së pari korrupsionin në nivelet më të larta, duke sjellë transparencën dhe në të njëjtën kohë duke analizuar me kujdes disa nga problemet sociale që ndeshim dhe duke krijuar një ndjenjë se solidarizohemi me të gjitha segmentet e shoqërisë, që tani po vuajnë si rezultat i krizës ekonomike dhe hendekut gjithnjë e më të madh të pabarazisë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.”

Papunësia në rritje shfaqet me ritme veçanërisht të larta në radhët e të rinjve nga mosha 15-24 vjeç dhe shumë veta në Greqi ankohen për rënien e standartit të jetesës. Demonstruesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kostas Karamanlis dhe anketat tregonë se ekziston një pakënaqësi në shkallë të gjerë ndaj reagimit të qeverisë ndaj protestave.

Zoti Karamanlis, partia e të cilit ka një shumicë fare të ngushtë në Parlament, i ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje apo për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme. Protestat vazhduan dje në Athinë për të nëntën ditë të shoqëruara me akte dhune dhe vandalizmi, vetëm një ditë pas një ceremonie paqësore në kujtim të adoleshentit të vrarë. //ad//

XS
SM
MD
LG