Lidhje

SHBA, Kina shënojnë 30 vjetorin e normalizimit të marrëdhënieve


Më 15 dhjetor 1978, Shtetet e Bashkuara dhe Kina vendosën marrëdhënie diplomatike, pas dekadash të tëra armiqësie. 30 vjet më pas, dy protagonistë të vendosjes së këtyre lidhjeve i hedhin një vështrim ngjarjeve që i transformuan marrëdhëniet midis Kindës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në fund të viteve 1960, Kina ishte mbërthyer nga Revolucioni Kulturor i udhëhequr nga Mao Ce Duni. Në Shtetet e Bashkuara, Riçard Nikson kandidoi për president si anti-komunist i flaktë.

Pas revolucionit komunist të Kinës në vitin 1949, dy vendet nuk kishin lidhje diplomatike. Por kur zoti Nikson u bë president ai filloi të shqyrtonte mundësinë e ndryshimeve në politikën amerikane. Brent Skoukroft ishte këshilltar i zotit Nikson në atë kohë.

“Kur mori detyrën, ishin të njohura qëndrimet anti-komuniste të Niksonit. Për këtë arsye ai nuk mund të përpiqej të komunikonte me Kinën pa ngjallur dyshime tek njerëzit se po i shiste Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Skoukroft thotë se Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin t’i ulnin tensionet me Bashkimin Sovjetik. Zoti Nikson e konsideronte marrëdhënien e ftohtë me Kinën si diçka që prishte ekuilibrin.

Për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara kishin marrëdhënie vetëm me udhëheqësit jokomunistë të Taivanit.

Zoti Nikson dërgoi Këshilltarin për Siguri Kombëtare Henry Kissinnger në një mision sekret për t’u dhënë fund dekadave të armiqësisë me Kinën.

“Presidenti Nikson druhej se nëse merrej vesh gjerësisht se çfarë po bënte, atij do t’i nxirrnin pengesa”.

Presidenti Nikson arriti në Kinë në shkurt të vitit 1972. Tek Muri i Madh ai foli për rrëzimin e barrierave.

“Ne nuk duam që të ketë mure të asnjë lloji mes njerëzve dhe shpresoj që një nga rezultatet e udhëtimit tonë të jetë që muret qofshin ato fizike apo ideologjike të mos i ndajnë njerëzit”.

Megjithatë marrëdhëniet ngecën lidhur me statusin e Taivanit. Zbigniev Bërzhinski ishte këshilltar sigurie për presidentin Xhimi Karter.

Në një fjalim kohët e fundit në Institutin Brookings, ai tha se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik u keqësuan në mes të viteve 1970 për shkak të negociatave për armët. Bërzhinski thotë se e kuptoi atëherë se normalizimi i marrëdhënieve me Kinën mund ta forconin pozitën e Amerikës.

“Për këtë arsye unë fillova ta bind presidentin për një qëndrim të ndryshëm, me theksin tek lidhja strategjike”.

Bërzhinski shkoi në Kinë në maj të vitit 1978 dhe propozoi normalizimin e marrëdhënieve pa u zgjidhur çështja e Taivanit. Udhëheqësi kinez Ten Hsiao Pin e ftoi zotit Bërzhinski për darkë.

“Ai më tha se vetëm tre vjet i kishin mbetur dhe nuk e kuptova dot nëse fliste për moshën apo për detyrën. Më tha se mund të mos mund ta vizitonte dot Amerikën. Nga kjo unë kuptova që edhe nga ana e tij kishte një ndjesi urgjence”.

Shtatë muaj më pas, Shtetet e Bashkuara dhe Kina vendosën marrëdhënie diplomatike. Presidenti Karter e priti zotin Ten në Shtëpinë e Bardhë.

Që atëherë, pavarësisht nga tensionet politike dhe ekonomike, marrëdhëniet amerikan-kineze janë intensifikuar. Dhe ekspertët thonë se dy vendet kanë krijuar gjithnjë e më shumë ndërvarësi.//kk//

XS
SM
MD
LG