Lidhje

Ekspertët: Rritja e ekonomisë globale do të ngadalësohet


Rritja ekonomike botërore po ngadalësohet së tepërmi, ndërsa vende si Shtetet e Bashkuara, pjesë të Evropës Perëndimore dhe Japonia po kalojnë një recesion ekonomik. Disa ekonomistë po paralajmërojnë se rritja ekonomike globale mund të ulet deri në më pak se 1 për qind vitin e ardhshëm.

Sajmon Xhonson, profesori i Institutit për Teknologji të Masaçusetit dhe ish kryeekonomist në Fondin Monetar Ndërkombëtar, thotë se rritja ekonomike botërore ka gjasa të mos kalojë shifrën e 9 të dhjetave të 1 përqindëshit vitin e ardhshëm. Kjo do të ishte një shifër shumë e ulët krahasuar me rritjen prej dy përqind që parashikoi Fondi Monetar Ndërkombëtar në muajin korrik.

Ngadalësimi i ekonomisë globale po bën që Fondi të përgatisë edhe një parashikim tjetër në lidhje me këtë çështje që duhet të jetë gati deri në fund të muajit janar.

Rezerva Federale, apo Banka Qendrore Amerikane, njoftoi dje se prodhimi nga produktet e përpunuara në Shtetet e Bashkuara u ul me 1.4 për qind në muajin nëntor. Ndërkaq, niveli i prodhimit të makinave ra me gati për qind. Kjo ishte rënia e tretë mujore në produktet e përpunuara gjatë katër muajve të fundit.

Tregjet financiare pësuan luhatje ditën e djeshme, mes pasigurive mbi ndihmën e mundshme që do t’i japë qeveria amerikane industrisë së makinave.

Mark Zandi, nga kompania "Moody's Economy.com" thotë se, ndërsa administrata e presidentit Bush ka dhënë shenja se do të ketë një paketë shpëtimi për industrinë e automjeteve, detajet e planit nuk njihen. Zoti Zandi thotë se e ardhmja e kësaj industrie nuk dihet, edhe sikur qeveria t’i jepte 14 miliardë dollarët për të cilat po flitet.

“Atyre do t’u duhen më shumë para vitin e ardhshëm, qoftë edhe për të pasur mundësi për të vënë në zbatim planet e ristrukturimit, që ata i bënë publike kohët e fundit. Por kjo do të jetë e vështirë, pasi në këtë çështje janë përfshirë shumë aktorë. Do të jetë e vështirë edhe që industria të mbijetojë deri në momentin e ristrukturimit”, - tha ai.

Ekonomisti Zandi thotë se do të ishte shumë problematike për ekonominë e ditëve të sotme, nëse njëra nga tre kompanitë më të mëdha të prodhimit të automjeteve General Motors, Ford dhe Chrysler do të falimentonin. Ai thotë se një gjë e tillë do të shkaktonte humbjen e 2.5 milionë vendeve të punës. Që kur në Shtetet e Bashkuara nisi recesioni një vit më parë, rreth 2.7 milionë njerëz kanë humbur vendet e punës. Shkalla e papunësisë në vend për momentin shënon 6.7 për qind.//lk

XS
SM
MD
LG