Revista amerikane Tajm ka zgjedhur presidentin e ardhshëm Barak Obama si personin e vitit për 2008-tën.
Kjo revistë shkruan se zoti Obama ka arritur të mbizotërojë jetën publike brënda një kohe të shkurtër në skenën kombëtare. Në të thuhet se presidenti i ardhshëm kapërceu pengesat shoqërore shekullore për t’u bërë presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara.
Revista Tajm e vlerëson gjithashtu zotin Obama për mënyrën e shpejtë dhe profesionale të krijimit të administratës së tij, duke e filluar këtë proces që ditën pas fitores së tij historike.
Presidenti i zgjedhur i tha revistës Tajm se ai shpreson të zgjidhë një numër çështjesh gjatë 2 vjetëve të parë në detyrë, si rigjallërimi i ekonomisë, mbyllja e burgut në gjirin e Guantanamos dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.
Mes personaliteteve që janë emëruar si personi i vitit nga revista Tajm janë këngëtari irlandez i rokut, Bono, themeluesi i Mikrosoftit, Bill Gejts, ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, dhe 3 prej presidentëve më të fundit amerikanë, President Xhorxh Bush, babai i tij, Xhorxh H.W. Bush, dhe presidenti Bill Klinton. (ze)