Lidhje

Përparim modest në bisedimet për zgjidhjen e krizës në Gjeorgji


Gjeorgjia dhe Rusia kanë rënë dakord të punojnë së bashku për të zgjidhur incidentet e sigurisë në provincën separatiste të Osetisë së Jugut për të cilën dy shtetet hynë në luftë në muajin gusht të këtij viti. Ndërmjetësit thanë se gjatë takimit dy ditor kishte përparim edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete.

Përfaqësuesit e dy vendeve ranë dakord që gjatë takimi u arrit përparim. Takimi u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Gjatë bisedimeve u fol kryesisht mbi sigurinë dhe situatën humanitare në Kaukaz. Situata është përkeqësuar së tepërmi që pas luftës së shkurtër ruso-gjeorgjiane në mars të këtij viti mbi provincat separatiste gjeorgjiane të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për krizën në Gjeorgji, Pier Morel i quajti bisedimet të frytshme. Por ai tha se palët nuk arritën dot një marrëveshje për arsye të disa çështjeve mbi të cilat nuk u ra dot dakord. Zoti Morel tha se palët ranë dakord mbi nevojën për të përmirësuar kushtet e mijëra refugjatëve dhe të zhvendosurve brenda vendit, përfshirë këtu edhe dërgimin e ndihmave humanitare.

"Pjesëmarrësit në takim ranë dakord të gjejnë mënyra për të rifilluar furnizimin me naftë të zonave të prekura nga kriza. Po kështu u ra dakord që të vazhdojë bashkëpunimi mbi rifillimin e të gjithë programeve shumpalëshe në rajon”, tha zoti Morel.

Shefi i Misionit të Monitorimit në Gjeorgji, Johan Verbeke tha se palët gjithashtu diskutuan çështje politike. "E kishim vëmendjen tek një pikë vendimtare, mekanizmat për të parandaluar dhe zgjidhur konfliktet në të ardhmen. Kjo nuk është çështje teknike, është çështje politike. Dhe të gjithë pjesëmarrësit në takimin e Gjenevës ranë dakord se ky mekanizëm është shumë i nevojshëm,” tha zoti Verbeke.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid tha se takimet po zhvilloheshin pas një konflikti në Gjeorgji dhe rajon. Ai tha se situata në terren është me rrezik dhe se nuk ka kohë për të humbur në arritjen e një marrëveshjeje.

"Do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e situatës në terren dhe të përmirësojmë kushtet e të prekurve nga kjo krizë. Megjithë mosmarrëveshjet serioze që kemi me Federatën Ruse mbi origjinën e konfliktit dhe mbi njohjen e Osetisë së Jugut dhe Abkazisë si të pavarura, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Rusinë,” tha zoti Frid.

Pjesëmarrësit thanë se bisedimet janë në rrugë të mirë dhe ranë dakord të takohen përsëri në muajin shkurt. //ad//

XS
SM
MD
LG