Lidhje

Presidenti i zgjedhur Obama dhe çështjet e mjedisit


Presidenti i zgjedhur Barack Obama prezantoi sekretarët e kabinetit dhe zyrtarët e lartë që do të trajtojnë çështje të ambjentit dhe politikat e energjisë. Ndërsa grupet ambjentaliste i kanë vlerësuar zgjedhjet e tij, ata thonë gjithashtu se administrata e re do të duhet të bëjë ndryshime të mëdha politike për të përballuar sfidat e ngrohjes globale dhe probleme të tjera të mjedisit.

Përparësitë e Presidentit të zgjedhur Obama për politikën e mjedisit dhe energjisë mund të përmblidhen në këto fjalë të tij:

“Duhet të krijojmë miliona vende pune në sektorin e mbrojtjes së ambjentit, ta çlirojmë vendin nga varësia tek nafta dhe të ndihmojmë në ruajtjen e planetit për fëmijët tanë”.

“Kjo nuk është vetëm përgjegjësi për gjithë amerikanët, është detyrimi ynë si mbrojtës të tokës së Zotit”.

Për ta realizuar këtë, zoti Obama ka thënë se zhvillimi i energjisë alternative është thelbësor dhe është i lidhur me të ardhmen e ekonomisë amerikane, sigurisë kombëtare dhe pakësimin e ngrohjes globale. Në një takim me fituesin e çmimit Nobel për paqen dhe ish-zëvendëspresidentin Al Gore kohët e fundit, zoti Obama u zotua ta trajtojë këtë çështje.

“Nuk është më koha për vonesa. Të gjithë e besojmë atë që shkencëtarët na kanë thënë prej vitesh, që kjo është një çështje urgjence dhe sigurie kombëtare dhe duhet të trajtohet me seriozitet. Pikërisht këtë dua unë që të bëjë administrata ime”.

Personat që ka zgjedhur zoti Obama për të zbatuar politikat e tij po quhen “Ekipi më i mirë i gjelbër”. Ai përbëhet nga Kerol Brauner, përgjegjësja kryesore e energjisë në Shtëpinë e Bardhë, Steven Çu, fitues i çmimit Nobel për fizikë si kreu i Departamentit të energjisë dhe Liza Xhekson si drejtore e Agjencisë për Mbrojtjen e Ambjentit. Dje, zoti Obama emëroi senatorin e Kolorados Ken Salazar që ka kundërshtuar shpimin për naftë në Alaska, si sekretar të parqeve.

Xhin Karpinski është president i Lidhjes së Votuesve Ambjentalistë.

“Këta njerëz janë të zotë, me përvojë, me parime por edhe pragmatistë. Ata kanë dhënë rezultate më parë në këtë drejtim dhe besojmë se mund të kenë sukses përsëri”.

Pjesa kryesore e planit të zotit Obama është ulja e varësisë tek nafta e huaj, si edhe krijimi i 5 milionë vendeve të reja të punës. Për ta realizuar këtë ai ka në plan të investojë 150 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme për të ndërtuar një ekonomi për energji të pastër që mbështetet tek energjia e erës, diellore dhe gjeotermale.

Kris Flavin, president i Institutit Worldwatch, një organizatë ambjentaliste në Uashington, thotë se është një moment unik për të zbatuar një politikë të tillë.

“Jemi në një pikë kthese për çështjet e ambjentit, ku përparimi shihet si i gërshetuar me ekonominë. Kështuqë nuk është edhe aq për kontrollin e ndotjes, sesa për krijimin e industrive të reja, qoftë për efektivitetin e energjisë së ripërtëritshme, sisteme të reja transporti, ndërtesa të reja të ngritura duke pasur parasysh mjedisin”.

Presidenti i zgjedhur Obama do gjithashtu që kompanitë e automjeteve që deri në vitin 2015 të prodhojnë një milionë makina hibride që mund të udhëtojnë rreth 48 kilometra me 1 litër karburant.

Por Kejtëri Kallahan që drejton organizatën Aleanca për të Kursyer Energji, thotë se mund të jetë e vështirë të arrihet ky objektiv.

“Duhet një farë kohe që produktet të hidhen në treg. Pra unë mendoj se mund të prodhojmë 1 milion makina hibride elektrike, por mendoj se është e vështirë që të realizohet për 10 vjet”.

Organizatat ambjentaliste e pranojnë që zoti Obama do të përballet me përparësi urgjente, përfshirë ekonominë dhe luftrat në Irak dhe Afganistan kur të marrë detyrën. Megjithatë këto grupe kanë shpresa të mëdha. Ata nxorrën kohët e fundit një raport me 400 faqe me qindra nisma për ambjentin, shumë prej të cilave ata shpresojnë që do të zbatohet nga administrata e zotit Obama. //ii

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG