Lidhje

Historia e korrupsionit politik në Shtetet e Bashkuara


Prokurorët amerikanë akuzuan guvernatorin e Illinoit Rod Blagojeviç për korrupsion, përfshi akuzat se ai është përpjekur të shesë vendin në senat të mbetur bosh nga presidenti i zgjedhur Barak Obama. Guvernatori është politikani i fundit amerikan që akuzohet për korrupsion dhe disa analistë thonë se në sistemin politik amerikan të mbuluar me para, nuk ka të ngjarë që ai të jetë i fundit.

Shitësit e gazetave në rrugët e Çikagos kanë bërë biznes të mirë që nga arrestimi i guvernatorit Blagojeviç.

Akuzat e shumta për korrupsion ndaj guvernatorit kanë çuditur edhe prokurorët më me përvojë si Patrik Fitzxherëlld.

“Këto veprime do ta bënin presidentin Abraham Linkoln të lëvizte nga varri”.

Guvernatori Blagojeviç dhe shefi i personelit të tij, Xhon Harris janë akuzuar për shitje të bizneseve publike në shkëmbim të favoreve dhe kontributeve për fushata.

Hetuesit thonë se governatori Blagojeviç është regjistruar në biseda telefonike ku është përpjekur të përfitojë nga autoriteti i tij si guvernator për të emëruar zëvendësuesin në postin e senatit të mbetur bosh nga presidenti i zgjedhur Barak Obama.

Prokurori Fitzxherëld lexoi për gazetarët një nga transkriptet.

“E kam këtë gjë, dhe është e shumë e çmuar. Dhe nuk do ta jap për asgjë”.

Prokurorët thonë se nuk ka asnjë provë se zoti Obama ka qënë në dijeni të përpjekjeve për të shitur karrigen në senat.

“Nuk kisha asnjë kontakt me guvernatorin ose me zyrën e tij kështu që nuk e dija çfarë po ndodhte”.

Skandali i Blagojeviçit është rezultati i fundit në disa hetime për korrupsion në politikë. Tre ish guvernatorë të Illinoit kanë shkuar në burg gjatë 35 vjetëve të fundit nën akuzat për korrupsion.

Ish senatori Ted Stevens nga Alaska u gjet fajtor pasi kishte gënjyer për marrjen e dhuratave që kishte marrë nga një kompani nafte, përfshi restaurimet në shtëpinë e tij. Stevens humbi në zgjedhjet e këtij viti duke i dhënë fund një karriere 40 vjeçare në senat.

Një ligjvënës nga Luiziana, Uilliam Xheferson po pret gjykimin nën akuzat për rryshfete dhe shfrytëzim të postit. Kur agjentët federalë bastisën shtëpinë e tij në vitin 2006 ata gjetën 90 mijë dollarë para në frigoriferin e tij. Xheferson humbi gjithashtu zgjedhjet këtë vit.

Allen Lihman është historial në universitetin Amerikan në Uashington.

“Çdo gjë bëhet për para, por edhe për diçka tjetër. Për atë që unë e quaj “arroganca e pushtetit”. Këta politikanë mendojnë se janë mbi ligjin, një moralin e përbashkët”.

Lihtman thekson se korrupsioni në Amerikë është i hershëm. Menjëherë pas Luftës Civile Amerikane në vitin 1860, gjatë administratës së presidentit Julisis Grent, korrupsioni ishte shumë i përhapur ndërsa afaristët veriorë shfrytëzonin shtetet e jugut të rënuar.

Në vitet 1920, gjatë administratës së Uoren Harding, skandali i famshëm Teapot Dome çoi në dënimin e sekretarit të burimeve natyrore Albert Fall nën akuzat se kishte pranuar rryshfete për të lejuar shfrytëzimin e tokës federale për naftë.

Përsëri Alen Lihtman nga Universiteti Amerikan.

“Pra fatkeqësishte kemi patur korrupsion në mbarë historinë amerikane. Megjithëse duket se ai ka arritur majat më të larta vitet e fundit”.

Megjithë këtë histori, analistët vënë në dukje se ndryshe nga disa vende ku korrupsioni është i institucionalizuar dhe bile i pranueshëm, në Shtetet e Bashkuara ai konsiderohet krim i rëndë.

Melani Sloan është drejtoreshë ekzekutive për Përgjegjësinë dhe Etikën qytetare në Uashington.

“Këtu ekziston pikëpamja se korrupsioni është i papranueshëm dhe prokurorët federalë janë në ndjekje të tij për ta çrrënjosur. Dhe kur politikanët bëjnë shkelje, ata shkojnë në burg dhe votuesit sigurojnë që ata të mos kenë më pushtet”.

Presidenti i zgjedhur Obama premtoi gjatë fushatës së tij të luftojë korrupsionin dhe të pakësojë influencën e lobizmit në Uashington.

Historiani Allan Lihtman thotë se skandali i Blagojeviçit e bën më të rëndësishme për zotin Obama ta mbajë këtë premtim.

“Kjo e bënë edhe më të rëndësishme për zotin Obama të ndërmarrë veprime të forta për të zgjidhur kulturën e korrupsionit që është e përhapur në politikën amerikan. Më shumë se kurrë më parë, amerikanët presin një ditë të re në politikën amerikane. Por presidenti nuk mund të bëjë gjithçka”.

Zoti Obama thotë se askush nga personeli i tij nuk kanë patur kontakte të papërshtatshme me Blagojeviçin. Guvernatori mohon të ketë bërë shkelje dhe nuk pranon të japë dorëheqje. (ze)

XS
SM
MD
LG