Lidhje

Gjeneral Selimi emërohet komandant i FS të Kosovës


Komandanti i deritanishëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral Sulejman Selimi është emëruar sot komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Emërimi i tij u dekretua nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu me rekomandimin e një nate më parë nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi. Emërimi i sotëm shënon edhe fillimin zyrtar të krijimit të forcës së sigurisë, ngritja e së cilës parasheh edhe shpërbërjen e Trupave Mbrojtëse të cilat janë trashëgimtare të ish Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Fillimi i procesit ishte paraparë për fillimin e këtij muaji për t’u shtyrë si rrjedhojë e ngecjes së emërimit të komandantit të Forcës së Sigurisë. Ngecja nxiti reagime e shqetësime në vend, por edhe tek zyrtarët e NATO-s që do të mbikëqyrin krijimin e kësaj force. Ata thanë se nga emërimi i komandantit duhen 30 apo 36 ditë për të filluar stërvitjet dhe çdo vonesë është vështirë të kompensohet.

Autoritetet thanë se nuk kishte vonesa, por nevojë për këshillime shtesë para emërimit të komandantit të forcës së sigurisë. Sipas planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, kjo forcë do të ketë 2 mijë e 500 pjesëtarë të armatosur lehtë dhe 800 pjesëtarë rezervë. Krijimi i kësaj force sikundër edhe tërë plani i zotit Ahtisaari është kundërshtuar ashpër nga Beogradi dhe serbët e Kosovës.

Një numër i pjesëtarëve të trupave Mbrojtëse të Kosovës do të jenë pjesë e forcës së sigurisë. Autoritetet po kërkojnë rrugë për sistemimin e pjesëtarëve që do të mbeten jashtë kësaj force dhe për të shmangur pakënaqësitë e shfaqura në një numër njësish të trupave Mbrojtëse.

Komandanti i Forcës së Sigurisë, Sulejman Selimi, ka udhëhequr për gati tri vjet Trupat Mbrojtëse. I njohur me emrin e luftës si komandant Sulltani, gjeneral Selimi ishte edhe komandant i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillim të vitit 1999. //ii

XS
SM
MD
LG