Lidhje

Lëvizja për të drejtat civile dhe suksesi i presidentit të zgjedhur Obama


Më 20 janar, Barak Obama do të bëhet presidenti i parë afrikano-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara. Kanë kaluar vetëm 45 vjet që kur në këtë vend u nxor jashtë ligjit dallimi i imponuar racial. Që nga ajo periudhë e viteve 60, e karakterizuar nga tensione raciale, janë thyer shumë barriera, gjë që i hapi rrugën zotit Obama dhe politikanëve të tjerë afrikano-amerikanë të vijnë në pozita të rëndësishme politike. Le t’u hedhim tani një vështrim disa prej momenteve kyçe të lëvizjes për të drejtat e njeriut që çuan në suksesin e zotit Obama.

Në nëntor të vitit 2008, Barack Obama u zgjodh presidenti i parë afrikano-amerikan, një ngjarje monumentale në historinë amerikane. Për shumë nga ata që e festuan fitoren e tij, ajo ishte realizimi i një ëndrre, sidomos për afrikano-amerikanët dhe të tjerë që jetuan dhe protestuan gjatë viteve të turbullta të lëvizjes për të drejtat civile.

Mars 1963. Zezakët në Selma të Alabamës u sulmuan me dhunë nga policia kur po marshonin për të kërkuar të drejtën e regjistrimit për të votuar. Imazhet e incidentit që mbahet mend si

“E diela e përgjakëshme” indinjuan mjaft njerëz në të gjithë vendin. Atë ditë, presidenti i ardhshëm ishte vetëm 2 vjeç dhe jetonte në një Amerikë shumë të ndryshme, ku në shumë komunitete ndarja racore ishte e imponuar me ligj. Ajo që ndodhi në Selma elektrizoi lëvizjen për të drejtat civile të udhëhequr nga Martin Luter Kingu.

"Ëndërroj që një ditë, katër fëmijët e mij të vegjël do të jetojnë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës por nga karakteri i tyre."

Në gusht 1963, çerek milioni njerëz dëgjuan fjalimin e famshëm të Martin Luter Kingut “Kam një ëndërr”. Marshimi në Uashington ndikoi që Kongresi të miratonte ligje të rëndësishme për të drejtat civile të cilat do ta nxirrnin jashtë ligjit dallimin racial.

Gjatë 20 vjetëve që pasuan, Kongresi miratoi dy ligje për të drejtat civile dhe votimin, ligje që u nënshkruan nga presidenti Lindon Xhonson.

"Me punë dhe sakrifica, secili prej nesh mund të realizojë ëndrrat e veta dhe përsëri ne mund të jemi të bashkuar si një familje amerikane”.

Sot, 43 vite më pas, shumë analistë mendojnë se ishte akti i vitit 1965 për të drejtën e votës, ai që i hapi rrugën zotit Obama dhe politikanëve të tjerë afrikano-amerikanë. Ja ç’thotë Barbara Arnwine, Drejtore Ekzekutive e Komitetit të Avokatëve për të Drejtat Civile në Uashington.

"Miratimi i këtij akti i hapi menjëherë rrugën njerëzve me ngjyrë, sidomos afrikano-amerikanëve, që të fillonin të thyenin barrierat, barrierat e çdo niveli për postet e zyrtarëve të zgjedhur."

Një nga drejtuesit e lëvizjes për të drejtat civile, 76-vjeçari Roger Wilkins, i kujton mirë sakrificat që bënë ai dhe të tjerët për të fituar të drejta të barabarta.

"Ajo lëvizje dhe çdo njeri që mori pjesë në të, kanë kontribuar në këtë moment të jashtëzakonshëm që do të përjetojmë së shpejti – inaugurimin e një presidenti afrikano-amerikan të Shteteve të Bashkuara. Barbara Arnwine thotë se ngritja historike e zotit Obama për t’u bërë presidenti i parë afrikano-amerikan, do të inkurajojë edhe pakicat e tjera.

"Ato shikojnë një mundësi të re në politikë, shikojnë rigjallërimin e konceptit të demokracisë, pra që demokracia nuk është më për një racë të vetme."

Ardhja e presidentit të zgjedhur Obama në Shtëpinë e Bardhë do të jetë një moment frymëzimi për një brez të tërë amerikanësh të cilët kanë qenë dëshmitarë të lëvizjes për të drejtat e njeriut e që tani, pas 4 dekadash, do të shikojnë me sytë e tyre realizimin e një ëndrre. //bsa//

XS
SM
MD
LG