Lidhje

Bajden - Çejni, fërkime në prag të ndërrimit të administratave


Presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe presidenti i zgjedhur Barak Obama janë zotuar se kalimi i pushtetit presidencial do të realizohet me nota sa më pozitive që të jetë e mundur. Por duket se ka tension në kalimin e pushtetit mes dy nënpresidentëve. Fërkimet mes dy nënpresidentëve dolën në pah dje gjatë intervistave të veçanta me mediat që zhvilluan nënpresidenti aktual Dik Çejni dhe nënpresidenti i ardhshëm Xho Bajden.

Nënpresidenti i zgjedhur Xho Bajden thotë së nënpresidenti aktual Dik Çejni i ka dhënë zotit Bush, këshilla jo të mira, siç shprehet ai.

"Unë besoj që këshillat e zotit Çejni nuk i kanë shërbyer sigurisë kombëtare dhe nuk kanë qenë në përputhje me kushtetutën amerikane”, tha zoti Bajden.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Bajden e cilësoi nënpresidentin Çejni si të rrezikshëm. Duke folur në një emision të televizionit ABC, ai tha se vazhdon t’i përmbahet këtij mendimi dhe shtoi se zoti Çejni është përpjekur të shtojë pushtetin e presidentit përtej kufizimeve kushtetuese gjatë mandatit të tij. Nga ana e tij zoti Çejni foli në programin e së dielës të televizionit Fox News ku tha se ai nuk i merr seriozisht kritikat e nënpresidentit të zgjedhur Bajden.

"E vërteta është se na duhet udhëheqje e fortë ekzekutive veçanërisht duke marrë parasysh konfliktet me të cilat përballemi sot. Në administratën tonë ne e ushtruam atë lloj pushteti”.

Por zoti Bajden beson se administrata e zotit Bush e ka tejkaluar këtë pushtet. Ai tha se edhe ai ka marrë të njëjtat raporte nga Departamentet e Zbulimit që jepen në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Bush dhe nënpresidenti Çejni kanë thënë se këto raporte i kanë bërë ata shumë të vetëdijshëm mbi rrezikun që i kanoset Shteteve të Bashkuara dhe nevojës për pushtet të fortë ekzekutiv. Por zoti Bajden thotë se ai i sheh këto raporte në një mënyrë tjetër.

"Deri tani nuk kam asnjë njoftim të ri që do të ndryshonte pikëpamjet e mia se, së pari, burgu i Guantanomos duhet të mbyllet. Së dyti, mënyra sesi ne kemi ushtruar politikat tona mbi proçesin e përgjimit apo proçesin e ndalimit të individëve kanë dëmtuar imazhin tonë nëpër botë”.

Zoti Bajden tha se ai do të ketë një qasje më të rezervuar ndaj postit të nënpresidentit. Zoti Çejni tha se është e drejta e zotit Bajden të marrë një vendim të tillë.

"Nëse ai dëshiron të zvoglojë fuqinë e Zyrës së Nënpresidentit, kjo është zgjedhja e tij. Besoj se presidenti Obama do të vendosë sesa pushtet do t’i japë nënpresidentit. Dhe siç po duket nga deklaratat, ai nuk pret që zoti Bajden të ketë pushtetin që kisha unë gjatë mandatit nënpresidencial”.

Zoti Çejni tha se pasuesi i tij nuk ka kërkuar ndonjë këshillë dhe bëri me dije se nuk ka asgjë për t’i ofruar atij përveç asaj që është thënë. //ad//

XS
SM
MD
LG