Lidhje

Thaçi: Serbia e njeh ‘de facto’ Kosovën, ta njohë edhe ‘de jure’


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se është e pashmangshme njohja e Kosovës si shtet nga Serbia dhe autoritetet e Beogradit janë të shumë të vetëdijshme për këtë fakt. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Thaçi shfaq besimin se me shtrirjen e EULEX-it edhe në veri do të shtrihet edhe autoriteti i institucioneve të vendit në atë pjesë por përjashton çdo mundësi të përdorimit të dhunës.

Zëri i Amerikës:Zoti kryeministër. Viti po përmbyllet me vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, por nuk ndodhi edhe përmbyllja e misionit të UNMIK-ut. A po e mundojnë Kosovën paqartësitë për këtë arsye?

Hashim Thaçi:Fillimisht dua të theksoj se vitin e ka hapur procesi i jashtëzakonshëm i kurorëzimit të përpjekjeve një shekullore të popullit të Kosovës me shpalljen e saj si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik me datën 17 shkurt të këtij viti. Pastaj me nxjerrjen e kushtetutës moderne të Republikës sonë, kushtetuta e parë në historinë politike të Kosovës, një kushtetutë e vullnetit të qytetarëve dhe standardeve moderne perëndimore. Pastaj me suksesin që kishim në konferencën e donatorëve si institucione, si qeveri e Kosovës. Për të vazhduar në procesin e mëtutjeshëm të njohjeve të fuqishme ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, për shtetit tonë, për të ardhur në procesin dhe në çështjen që ju e ngritët, për t’u shtrirë autoriteti i EULEX-it në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Misioni i UNMIK-ut është definitivisht i përfunduar. Nevojiten edhe disa aspekte teknike, por tash misioni i EULEX-it dhe autoriteti i institucioneve të Republikës së Kosovës është autoriteti legal.

Zëri i Amerikës:Zoti kryeministër një vend i vogël me disa misione e mandate të ndryshme. A po e bën kjo të vështirë qeverisjen e vendit? Juve personalisht jua vështirëson punën?

Hashim Thaçi:Kosova është një vend çfarë është, me territor dhe banorë sa ka. Por, pozicioni i saj gjeostrategjik është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Pastaj, secili njeri duhet ta ketë parasysh ku ishim ne vetëm para dhjetë vitesh si Kosovë, si popull. Ku ishim vetëm para një viti në një proces tranzicioni. Ndërsa sot, Kosova është vend i pavarur dhe dua të theksoj se prezenca e misionit të EULEX-it që është një prezencë me mandat të plotë të Bashkimit Evropian, është një mision ndihmues, këshillues dhe i hapjes së perspektivës për Kosovën në procesin integrues euroatlantik. Prandaj, mbështetja ndërkombëtare gjithmonë duhet mirëpritur, duhet përshëndetur edhe ftuar besa nga institucionet tona, në mënyrë që të kemi ecje të përbashkët e jo të veçuar.

Zëri i Amerikës:Zoti kryeministër, vendosja, përkatësisht ri konfigurimi i pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë kaloi nëpër një periudhë të debateve të ashpra lidhur edhe me atë gjashtë pikëshin e famshëm. Beogradi ditëve të fundit, madje vetë presidenti serb Boris Tadiç, ka kërkuar zbatimin e plotë të tyre, Si do të veproni në këtë situatë?

Hashim Thaçi:Kosova ka institucionet legjitime, ka mbështetjen e plotë ndërkombëtare. Institucionet e vendit do ta respektojnë me përpikëri kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dokumentin e presidentit Ahtisaari. Mendimet e këqija që vijnë nga Beogradi, për Kosovën nuk do të jenë të realizueshme, të pranueshme. Përkundrazi, janë të rezistueshme. Unë i kuptoj autoritetet në Beograd që kanë nevojë të flasin për marketing para opinionit të tyre të brendshëm, por ai propozim i gjashtë pikëshit tanimë në Kosovë nuk ekziston as si dokument, as si projekt, as si prioritet por as ne vokabularin e asnjë politikani, asnjë bartësi të një institucioni e as të ndërkombëtarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, a jeni i gatshëm të bisedoni sërish me Beogradin për zgjidhjen e problemeve të ndërsjella e posaçërisht atyre që kanë të bëjnë me veriun e vendit ku ka një përqendrim më të madh të komunitetit serb?

Hashim Thaçi:Për integritetin territorial të vendit tonë, të shtetit tonë, në asnjë rrethanë dhe asnjëherë nuk do të ketë bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kosova e ka të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht integritetin territorial. Kosova si shtet, me këtë territor, është e njohur nga 53 shtete të fuqishme botërore. Ndërsa jemi shume të përkushtuar të vazhdojmë ndërtimin e relacioneve të shkëlqyeshme si vende fqinje, jo vetëm me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, por në të ardhmen e afërt demokratike edhe me Serbinë, në mënyrë që të kemi punë të përbashkët për çështje konkrete që ndërlidhen me interesat e dy vendeve tona si shtete dhe dy popujve tanë. Në fakt, Serbia “de facto” veç e ka njohur Kosovën si shtet. Por, pritet durim, përkushtim, pritet edhe kohë, duhet pritur edhe “de jure”. Është e pashmangshme njohja e Kosovës si shtet nga Serbia dhe autoritetet e Beogradit janë të shumë të vetëdijshme për këtë fakt.

Zëri i Amerikës: Por, zoti kryeministër, si mund ta vendosni autoritetin tuaj edhe në veri? Ka pasur kritika edhe nga opozita se ju nuk po arrini dot ta bëni një gjë të tillë dhe s’keni strategji për një gjë të tillë. Si u përgjigjeni këtyre shqetësimeve?

Hashim Thaçi:Të gjithë ata që kanë folur me zëra të ashpër për veriun e Mitrovicës, kanë qenë bartës të përgjegjësive institucionale dhe nuk kanë menduar aq shumë kur kanë qenë bartës të institucioneve për këtë çështje. Por, dua të potencoj se qeveria që udhëheq unë, është qeveria e parë që ka filluar të investojë në Mitrovicë. Gjithashtu, për herë të parë pas luftës kemi filluar ta shtrijmë autoritetin ndërkombëtarë, tash e kemi prezencën edhe civile ndërkombëtare edhe NATO-n dhe me hapa të sigurt drejt zgjerimit të autoritetit të institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë, pas shkuarjes së EULEX-it edhe në veri dhe marrjes së autoritetit atje, ka filluar për herë të parë shpërbërja e strukturave paralele jo legjitime. Ndërsa ata që mendojnë se duhet përdorur dhuna në Mitrovicë, mendoj se në Kosovë nuk ka vend për dhunë. Do të jetë një proces i urtë, i mençur i bashkëpunimit në mënyrë që të ndërtojmë një vend me mundësi të barabarta, me mundësi afirmative edhe për minoritarët në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. //ii

XS
SM
MD
LG