Lidhje

Barak: Izraeli në luftë të hapur me Hamasin



Aeroplanët luftarakë izraelitë kanë zhvilluar disa sulme vdekjeprurëse kundër militantëve palestinezë në Rripin e Gazës për të tretën ditë me radhë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak tha sot se vendi i tij është në luftë të hapur me udhëheqësit e Hamasit në Gazë.

Zyrtarët palestinezë thanë se tre ditët e sulmeve ajrore izraelite kanë vrarë 325 veta, shumica militantë të Hamasit. Një agjenci ndihmash e OKB-së në Gazë thotë se mjekët palestinezë kanë njoftuar vdekjen e 57 civilëve.

Militantët e Rripit të Gazës kanë hedhur të paktën 50 raketa në Izraelin jugor, njëra prej të cilave vrau një arab izraelit në qytetin jugor të Ashkelonit. Kjo ishte viktima e dytë në Izrael nga sulmet me raketa që nga fillimi i ofensivës në Gazë.

Ministrja e Jashtme izraelite Tzipi Livni i bëri thirrje palestinezëve që jetojnë në ndërtesat ku operon Hamasi të dalin për të shmangur goditjet e forcave izraelite.

Presidenti palestinez Mahmud Abas bëri thirrje për bisedime me rivalët e Hamasit për krijimin e një fronti të përbashkët kundër atij që ai e quajti agresion masiv i Izraelit në Gazë.

REAGIME NGA SHTËPIA E BARDHË

Administrata e presidentit Bush tha se po punon për rivendosjen e një armëpushimi të qëndrueshëm midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, pas ditës së tretë të sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Johndroe, fajësoi sot grupin Hamas që nuk po pranon të zgjasë marrëveshjen 6 mujore të armëpushimit.

Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se Izraeli po vetë-mbrohet nga sulmet e vazhdueshme me raketa nga forcat e Hamasit në Gazë.

Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, po ashtu shtoi se Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të shmangë viktimat mes civilëve në Gazë. Zëdhënësi tha se Presidenti Bush ka biseduar me mbretin e Arabisë Saudite dhe atë të Jordanisë në përpjekje për të ndaluar dhunën.

XS
SM
MD
LG