Lidhje

E ardhmja e Guantanamos



Sekretari amerikan i mbrojtjes që do të qëndrojë në detyrë në administratën e re e ka urdhëruar personelin e tij që të rishkojnë çështjet që kanë lidhje me me mbylljen e qendrës së ndalimit të Guantanamos. Zëdhënësi i tij thotë se sekretari do që të jetë gati në rast se presidenti i zgjedhur Barak Obama i kërkon që të marrë masa në këtë drejtim që në fillim të mandatit.


Presidenti i zgjedhur Obama ka thënë se do të donte ta mbyllte qendrën e ndalimit të Guantanamos. Por edhe Presidenti Bush ka thënë të njëjtën gjë, ashtu si edhe Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates.

Megjithatë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino vë në dukje se është më e lehtë të thuhet se të bëhet.

“Nuk është e lehtë të thuash se do ta mbyllësh qendrën e Guantanamos. Dhe kohët e fundit, disa njerëz që kanë qenë kritikët tanë në media po e pranojnë sesa e vështirë është dhe sa e ndërlikuar do të jetë për presidentin e ardhshëm të marrë këto vendime”.

Departamenti i Mbrojtjes ka liruar mbi 500 të ndaluar nga Guantanamo, por atje ka ende rreth 250 të tjerë të cilët i konsideron “luftëtarë armiq” në luftën kundër terrorizmit. Disa prej tyre janë mbajtur deri në shtatë vjet.

Ata ndahen në përgjithësi në tre kategori: ata të cilëve u është miratuar lirimi, por asnjë vend nuk do t’i pranojë, ata që janë akuzuar ose do të akuzohen me një vepër të caktuar penale dhe një grup i tretë të cilin eksperti i sigurisë kombëtare, Majkëll O’Henlon e përkufizon në këtë mënyrë:

“Ka një kategori të vogël njerëzish për të cilët ekziston bindja se duhen mbajtur të ndaluar, por nuk mund t’ia mbushësh mendjen as një gjykatësi ushtarak, as një jurie që ata janë fajtor. Dhe kjo është pjesë e dilemës”.

Ushtria amerikane thotë se grupi i të ndaluarve nuk mund të gjykohet sepse të dhënat kundër tyre duhet të mbahen sekret, ose sepse të dhënat janë siguruar me teknika abuzive marrjesh në pyetje dhe nuk mund të paraqiten në gjykatë.

Anne Marie Brennan e Amnesty International e pranon se ka vështirësi për mbylljen e qendrës së ndalimit, por shton se duhet bërë.

“Amnesty International është kundër ndalimit paraprak dhe kundër ndalimit arbitrar dhe të papërcaktuar. Kështu që ne Amnesty International mendon se të ndaluarit në Guantanamo ose duhen liruar, ose duhet gjykuar në gjykata të drejta, si për shembull gjykatat federale amerikane”.

Por në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti do të mbante përgjegjësi nëse të ndaluarit që lirohen i rikthehen përsëri terrorizmit, Dana Perino thotë se qëndrimi i Amnesty International nuk është realist.

“Rreth 7 për qind e të ndaluarve që ne kemi rikthyer në vendet e tyre, kanë goditur përsëri. Disa prej tyre janë kapur përsëri. Njëri prej tyre nuk u kap dot sepse ishte autor i një sulmi vetëvrasës që shkaktoi vdekjen e 40 vetëve në Mosul”.

Nëse qendra e ndalimit të Guantanamos mbyllet, çështja mbetet se çfarë do të bëhet me të ndaluarit.

Disa ekspertë thonë se ata duhet të vendosen në burgje të rregullta federale dhe sisteme gjykatash. Të tjerë mbëshesin sistemin aktual të debatueshëm të komisioneve ushtarake, që i jep mundësinë qeverisë që t’i mbajë të ndaluarit për një kohë të pacaktuar para gjyqit, ose pa gjyq, ose edhe nëse çlirohen akuzat.

Dhe disa thonë se duhet një sistem i ri për gjyqe më të drejta sesa komisionet ushtarake por do t’i mbronte sekretet e qeverisë.

Majkëll O’Henlon është një prej atyre që mbështesin sistemin e ri.

“Duhet të kesh një nivel pranueshmërie për të mbajtur të ndaluar disa njerëz shumë të rrezikshëm në një kohë kur ne vazhdojmë të jemi objekt sulmesh në gjithë botën nga ekstremistë të tillë”.

Por ai shton se mund të jetë më mirë për Shtetet e Bashkuara që të lirohen disa nga individët e rrezikshëm, sesa të vazhdojnë të mbahen duke dëmtuar imazhin e vendit.

Kjo është një nga çështjet për të cilat po punon personeli i Pentagonit sipas porosisë së sekretarit Gejts dhe me të cilën do të përballet Presidenti i zgjedhur Obama kur të marrë detyrën në janar. //rd//

XS
SM
MD
LG