Lidhje

Nikola Sarkozi dhe presidenca e Bashkimit Evropian


Me ardhjen e Vitit të Ri, Franca ia dorëzoi presidencën e radhës të Bashkimit Evropian Republikës Çeke, duke i dhënë fund njërit prej mandateve më të ngarkuara në historinë e drejtimit të BE-së. Cilat ishin ngjarjet dhe politikat që e karakterizuan mandatin 6-mujor të Francës dhe presidentit të saj Nikola Sarkozi?

Presidenti francez Nikola Sarkozi njihet si një politikan i veprave dhe gjatë 6 muajve që Franca kishte timonin e Bashkimit Evropian, i ra shumë herë rasti të hidhej në vepra. Axhenda fillestare e Francës përfshinte krijimin e një partneriteti të ri Evropiano-Mesdhetar ku të përfshiheshin vende të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme si dhe vënia në jetë e Traktatit të Lisbonës për të reformuar organizatën me 27 anëtarë.

Por zhvillime të paparashikuara ndikuan për t’i dhënë një formë tjetër presidencës së Francës duke e bërë atë një ndër më dinamiket në historinë e Bashkimit Evropian. Së pari ishte konflikti që plasi në gusht ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë. Presidenti Sarkozi shkoi në të dyja kryeqytetet e këtyre vendeve për të arritur një marrëveshje për armpushim.

Ky konflikt u pasua nga kriza financiare dhe ekonomike. Zoti Sarkozi kërkoi zhvillimin e një takimit të lartë evropian për të hartuar një strategji të përbashkët në përgjigje të krizës dhe më pas u bë ndër nismëtarët e një takimi më të madh të fuqive kryesore botërore në Uashington.

Në një fjalim lamtumire në Parlamentin Evropian, zoti Sarkozi reflektoi mbi pikat kulmore dhe ngjarjet më të spikatura gjatë rolit të tij si President i BE-së.

Udhëheqësi francez tha se kishte mësuar të tregohej më tolerant dhe më i prirur për marrëveshje dhe vepra në përpjekjet për të zgjidhur problemet e organizatës me 27 anëtarë. Ai theksoi se ishte përpjekur ta ndryshonte Evropën, por shtoi se Evropa e kishte ndryshuar atë. Në mbyllje të fjalës ai shprehu bindjen se Bashkimi Evropian ishte tani më i nevojshëm se kurrë më parë.

Një numër diplomatësh dhe analistësh e kanë vlerësuar energjinë që tregoi zoti Sarkozi në këtë rol, duke vënë në dukje edhe angazhimin aktiv të Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së Havier Solana. Filip Uajt, analist në Qendrën për Reforma Evropiane me seli në Londër, shprehet pozitivisht për udhëheqjen e zotit Sarkozi:

“Mendoj se zoti Sarkozi përgjithësisht ka bërë një punë mjaft të mirë. Ai nuk spikat si një udhëheqës që ka pikëpamje ideologjike tepër konsistente për botën. Ai është më tepër njeri i veprave se sa i ideve. Pikërisht për këtë arsye i ka sjellë BE-së shumë energji, që ishte tepër e nevojshme në këtë periudhë.”

Analistët po diskutojnë tani nëse udhëheqja e zotit Sarkozi mund të ketë një ndikim që do të ndjehet në periudhën afat-gjatë në Bashkimin Evropian. Në fillim të dhjetorit, Nikola Sarkozi arriti të siguronte një marrëveshje në Bashkimin Evropian, që konsiderohet si më ambiciozja në lidhje me planin mbi ndryshimet klimatike. Megjithatë, marrëveshja përfundimtare ishte mjaft më e butë se varianti fillestar. Analisti francez Filip Moro Defarzh shpjegon:

“Ndoshta ai synonte të pëmbushte një rol të mirëfilltë politik dhe ta tregonte veten si udhëheqës politik. Nuk është krejt e qartë se sa sukses ka arritur në këtë drejtim pasi shumë nga çështjet që mori në dorë nuk dhanë rezultate madhore. Mjafton të marrim si shembull paketën për ndryshime klimatike dhe politikat e energjisë. Kjo marrëveshje nuk ka ndonjë vlerë historike, është thjesht një paketë e vizione të 27 vendeve të veçanta.”

Stili autoritar i zotit Sarkozi, ndërkaq, ka shkaktuar fërkime me politikanë të tjerë, në veçanti me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Përsëri analisti Filip Uajt:

“Marrëdhëniet franko-gjermane kanë pasur gjithmonë rëndësi kyçe brenda BE-së. Por mendoj se metoda që ka ndjekur zoti Sarkozi në diplomaci i ka irrituar gjermanët. Vetë marrëdhëniet personale mes zonjës Merkel dhe zotit Sarkozi janë më të këqia se kurrë.”

Zoti Sarkozi ka shënuar pikë në frontin e brendshëm politik. Pas një anketimi të zhvilluar në fillim të dhjetorit, rezulton se 56 përqind e francezëve i mbështesnin politikat e tij si president i BE-së. Popullariteti i tij është rritur krahasuar me fillimin e vitit 2008, kur shumë francezë shprehën mospëlqim për jetën e tij personale dhe për reformat e tij të forta.

Por analisti Defarzh vë në dukje se shumë francezë janë më të interesuar për zhvillimet e brendshme në vend, sidomos për vështirësitë ekonomike dhe papunësinë, se sa për zhvillimet brenda Bashkimit Evropian.

Për sa i takon zotit Sarkozi, megjithëse e mbylli kapitullin e presidentit të BE-së, duket se ai nuk ka hequr dorë nga ambicjet për të luajtur një rol të rëndësishëm në arenën botërore në postin e presidentit të Francës.

//ad//

XS
SM
MD
LG